Raportohet se është arrestuar Gani Geci pas incidentit me gazetarin Lirim Mehmetaj

Raportohet se Gani Geci është arrestuar pas incidentit me gazetarin Lirim Mehmetaj. Rasti vjen pas incidentit mes Gani Gecit dhe gazetarit Lirim Mehmetaj, i cili ka deklaruar se është kërcënuar pasi ka refuzuar ta fshijë ose ta ndryshojë një postim kritik ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci. Përplasja nisi pas deklaratave të Fatos Gecit…

Lajme

12/10/2026 23:20

Raportohet se Gani Geci është arrestuar pas incidentit me gazetarin Lirim Mehmetaj.

Rasti vjen pas incidentit mes Gani Gecit dhe gazetarit Lirim Mehmetaj, i cili ka deklaruar se është kërcënuar pasi ka refuzuar ta fshijë ose ta ndryshojë një postim kritik ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci.

Përplasja nisi pas deklaratave të Fatos Gecit lidhur me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat Mehmetaj i kritikoi publikisht.

Gazetari ka treguar se ishte kontaktuar nga familjarë të Gecit, të cilët, sipas tij, i kishin kërkuar ta largonte postimin. Ai ka deklaruar se pas refuzimit ishte kërcënuar dhe se rastin e kishte raportuar në Polici.

Ndërkohë, Gazeta Nacionale ka mësuar nga burime brenda Policisë së Kosovës se Gani Geci është arrestuar pranë stacionit të B92 në Prishtinë.

“Prej familjes Geci mua më kanë thirrë, më kanë thënë me hjekë postimin. Unë i kam thënë jo”, ka deklaruar Mehmetaj.

Ai ka thënë se kërkesa për largimin ose ndryshimin e postimit ishte përsëritur edhe gjatë një takimi në zyrën e tij, ku pretendon se ishte kërcënuar.

“Në mëngjes kam shku në polici, e kam njoftu rastin”, ka thënë gazetari.

Nga ana tjetër, Gani Geci kishte njoftuar për një takim pajtimi mes familjarëve, të ndërmjetësuar nga deputeti Anton Quni dhe Fadil Hadërgjonaj. Sipas tij, palët ishin zotuar që të mos merreshin më me njëra-tjetrën përmes shkrimeve apo paraqitjeve televizive.

Megjithatë, Mehmetaj ka theksuar se nuk do ta fshijë postimin e tij.

“Unë mangup s’jam, po me ma diktu mu çka shkruaj s’ka shans, me u rrotullu tokë e qiell”, është shprehur gazetari.

Deri më tani, nuk janë bërë të ditura hollësi të tjera zyrtare lidhur me arsyet e arrestimit dhe masat e mëtejshme ndaj Gani Gecit.