Alarmon Jahjaga: Edhe sa jetë duhet të shuhen që dhuna të mos trajtohet si tragjedi e radhës?
Ish presidentja, Atifete Jahjaga ka reaguar për vrasjen e dyfishtë në Livoç të Gjilanit, që tronditi mbrëmë Kosovën. Jahjaga, ka vlerësuar që vrasja e grave nuk është thjesht një tragjedi individuale e as një çështje private familjare. Ajo ka thënë që kjo është përgjegjësi e gjithë shoqërisë dhe institucioneve që të sfidojmë mentalitetet që e…
Lajme
Ish presidentja, Atifete Jahjaga ka reaguar për vrasjen e dyfishtë në Livoç të Gjilanit, që tronditi mbrëmë Kosovën.
Jahjaga, ka vlerësuar që vrasja e grave nuk është thjesht një tragjedi individuale e as një çështje private familjare.
Ajo ka thënë që kjo është përgjegjësi e gjithë shoqërisë dhe institucioneve që të sfidojmë mentalitetet që e normalizojnë dhunën, heshtjen që e toleron atë dhe çdo përpjekje për ta justifikuar apo minimizuar.
“Edhe sa jetë duhet të shuhen që dhuna ndaj grave mos të trajtohet vetëm si një tragjedi e radhës? Ngjarja e rëndë dje në Gjilan na tronditi thellësisht por përtej dhimbjes dhe tronditjes, duhet të përballemi me një realitet të hidhur që ende jetojmë në një shoqëri ku gratë humbin jetën pikërisht nga ata pranë të cilëve duhen të ndihen të sigurta. Asnjë grua nuk duhet të jetojë me frikën se mund të vritet dhe asnjë grua nuk duhet ta paguajë me jetë të drejtën për të jetuar e lirë, e sigurt dhe me dinjitet”, ka shkruar Jahjaga.
Ish shefja e shtetit i ka shprehur ngushëllime familjeve që vajtojnë humbjen e më të dashurve të tyre.
V.R dyshohet se vrau bashkëshorten e tij N.B dhe vëllain e saj, E.R dhe plagosi axhën e të ndjerëve.
Më pas i dyshuari është dorëzuar në Polici.