Vrasja e dyfishtë në Gjilan: Policia sekuestron armë, 520 fishekë dhe prova të tjera tek pronat e të dyshuarit

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me vrasjen e dyfishtë që ndodhi të premten në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit, ku një burrë dyshohet se vrau bashkëshorten e tij dhe vëllain e saj, si dhe plagosi një familjar të viktimave. Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur më 9 tetor, rreth orës 14:26.…

Lajme

10/10/2026 09:32

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me vrasjen e dyfishtë që ndodhi të premten në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit, ku një burrë dyshohet se vrau bashkëshorten e tij dhe vëllain e saj, si dhe plagosi një familjar të viktimave.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur më 9 tetor, rreth orës 14:26. I dyshuari, shtetas i Kosovës, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj tre personave. Si pasojë, bashkëshortja e tij dhe vëllai i saj kanë humbur jetën, ndërsa personi i tretë ka mbetur i plagosur dhe fillimisht është dërguar për trajtim në Spitalin e Gjilanit, transmeton lajmi.net.

I plagosuri më pas është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po merr trajtim mjekësor.

Pas ngjarjes, policia ka kryer bastisje në shtëpitë dhe pronat e të dyshuarit, me urdhër të prokurorit, ku ka gjetur dhe sekuestruar disa armë dhe municion.

“Janë gjetur dhe sekuestruar dy armë të gjata me leje të skaduar, një pistoletë pa leje, një armë pneumatike, 520 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe 1.600 diabolla të pushkës pneumatike”, thuhet në raportin e Policisë.

Gjithashtu, si prova materiale janë sekuestruar disa telefona celularë dhe pajisje DVR për regjistrimin e kamerave të sigurisë.

Në vendin e ngjarjes, hetuesit kanë sekuestruar katër fishekë, 21 gëzhoja dhe pesë predha. Ndërkaq, në veturën e të dyshuarit është gjetur edhe një pistoletë, me të cilën dyshohet se është kryer vepra dhe për të cilën ai kishte leje të skaduar.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa trupat e pajetë të dy viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

Hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.

Raporti i plotë:

Fsh. Livoç i Ulët, Gjilan  09.10.2026 – 14:26. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka qëlluar me armë zjarri tre viktimat, një femër-bashkëshorten e tij, një mashkull- vëllai i bashkëshortes dhe viktimën tjetër mashkull-djali i axhës së bashkëshortes. Si pasojë, dy viktimat e para kanë ndërruar jetë, ndërsa i treti ka mbetur i plagosur dhe është transportuar në Spitalin e Gjilanit. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore që i kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore. Në dy vende të ngjarjes janë sekuestruar katër fishekë, njëzetenjë gëzhoja dhe pesë predha si dhe brenda veturës së të dyshuarit është sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vepra për të cilën i dyshuari kishte leje të skaduar.

Me urdhër të prokurorit janë kryer bastisje në shtëpitë dhe pronat e të dyshuarit ku janë gjetur dhe sekuestruar dy armë të gjata me leje të skaduar, një pistoletë pa leje, një armë pneumatike, 520 fishekë kalibrash të ndryshëm dhe 1600 diabolla të pushkës pneumatike. Gjithashtu si prova materiale janë sekuestruar edhe disa telefona celularë dhe DVR të kamerave. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa dy trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion./lajmi.net/