Senatorët amerikanë Durbin dhe Shaheen pritet të vizitojnë Kosovën, në fokus siguria dhe marrëdhëniet me SHBA-në
Senatorët amerikanë Dick Durbin dhe Jeanne Shaheen do të qëndrojnë në Kosovë në kuadër të një vizite në disa shtete të Ballkanit Perëndimor, ku në fokus do të jenë siguria rajonale, demokracia, zhvillimi ekonomik dhe bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Durbin, zëvendëskryetar i grupit demokrat në Senatin amerikan, dhe Shaheen, përfaqësuesja më e…
Lajme
Senatorët amerikanë Dick Durbin dhe Jeanne Shaheen do të qëndrojnë në Kosovë në kuadër të një vizite në disa shtete të Ballkanit Perëndimor, ku në fokus do të jenë siguria rajonale, demokracia, zhvillimi ekonomik dhe bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Durbin, zëvendëskryetar i grupit demokrat në Senatin amerikan, dhe Shaheen, përfaqësuesja më e lartë demokrate në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit, kanë përfunduar vizitën në Bosnjë e Hercegovinë dhe të premten kanë nisur qëndrimin në Mal të Zi, transmeton lajmi.net.
Përveç Kosovës, pjesë e agjendës së tyre janë edhe Shqipëria dhe Kroacia. Gjatë vizitave në rajon, senatorët do të zhvillojnë takime me përfaqësues të institucioneve shtetërore, diplomatë amerikanë, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe të rinj.
Sipas njoftimit për këtë turne, diskutimet do të përqendrohen edhe në perspektivën e anëtarësimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian, bashkëpunimin me NATO-n dhe diversifikimin e burimeve të energjisë.
Në agjendë është përfshirë gjithashtu zbatimi i Aktit për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, i cili është miratuar në kuadër të Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2026.
Senatorja Shaheen ka theksuar se gjatë qëndrimit në rajon do të diskutojë me zyrtarë, të rinj dhe përfaqësues të shoqërisë civile për sfidat e sigurisë, mundësitë për zhvillim ekonomik dhe raportet e vendeve të Ballkanit Perëndimor me SHBA-në.
Gjatë vizitës në Bosnjë e Hercegovinë, delegacioni kishte planifikuar të vizitonte edhe Qendrën Përkujtimore dhe Varrezat e Srebrenicës në Potoçari, si dhe të merrte pjesë në një performancë të grupit artistik “House of Good Tones”.
Për senatorin Durbin, ky udhëtim shënon vizitën e fundit në Ballkanin Perëndimor si pjesë e një delegacioni kongresional në cilësinë e senatorit amerikan. Ai e ka vizituar rajonin edhe në vitet 1999 dhe 2009.
Turneu i senatorëve amerikanë në vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të përfundojë më 13 tetor./lajmi.net/