Shpërbërja e Speciales, UÇK-ja dhe lidhjet me BIA-n: Çfarë zbuluan provat në gjykimin ndaj Shabanit dhe Qerimit

Brenga për shpërbërjen e Gjykatës Speciale, interesimi për informacione rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komunikimet me zyrtarë të shërbimit sekret serb, BIA, janë disa nga çështjet që kanë dalë në pah gjatë procesit gjyqësor ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të akuzuar për spiunazh. Avokati i të dyshuarit, Bedri Shabanit, ka potencuar gjatë gjykimit…

Lajme

09/10/2026 16:20

Brenga për shpërbërjen e Gjykatës Speciale, interesimi për informacione rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komunikimet me zyrtarë të shërbimit sekret serb, BIA, janë disa nga çështjet që kanë dalë në pah gjatë procesit gjyqësor ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të akuzuar për spiunazh.

Avokati i të dyshuarit, Bedri Shabanit, ka potencuar gjatë gjykimit se, klienti i tij, ka qnë deshmitar në Hagë.

Në seancën gjyqësore janë paraqitur materiale të nxjerra nga telefonat, komunikime dhe shënime që, sipas Prokurorisë Speciale, dëshmojnë veprimtarinë e Shabanit në shërbim të inteligjencës serbe.

Veçanërisht interesante janë komunikimet që lidhen me mundësinë e shpërbërjes së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në njërin prej materialeve të paraqitura gjatë gjykimit, Shabani shfaq interesim për një artikull që trajtonte bisedimet për shpërbërjen e Gjykatës Speciale.

Nga shënimet shpjeguese të paraqitura në gjykatë, ky material ishte marrë nga rrjetet sociale dhe, sipas interpretimit të paraqitur aty, tregonte shqetësimin e Shabanit për mundësinë e shpërbërjes së gjykatës.

Një tjetër shënim në gjuhën serbe e përmend presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe familjet e personave të rrëmbyer e të vrarë në Kosovë.

Përmbajtja, në shqip, shpreh pretendimin se shteti serb, nën udhëheqjen e Vuçiqit, i ka tradhtuar familjet e të rrëmbyerve dhe të vrarëve në Kosovë.

Në shpjegimin që shoqëron këtë material thuhet se shqetësimi i të pandehurit lidhej me bisedimet e pretenduara për shpërbërjen e Dhomave të Specializuara.

Informacionet për UÇK-në dhe lidhjet me BIA-n

Përveç Gjykatës Speciale, pjesë e materialeve të paraqitura në gjykatë ishin edhe komunikimet për veprimtarinë e UÇK-së gjatë luftës.

Në një prej përgjimeve telefonike, sipas materialit të prezantuar, Shabani komunikon me një zyrtar të BIA-s për një spital ushtarak.

Ai i thotë bashkëbiseduesit se në atë spital kishte pasur më shumë mjekë sesa në Akademinë Ushtarake Mjekësore në Beograd, duke përmendur edhe ekzistencën e fotografive.

Në komunikim, Shabani citohet të ketë thënë:

“… nëse ju heshtni dhe kjo i konvenon dikujt, diçka e çuditshme po me duket”, “unë jam duke punuar edhe gjëra tjera”.

Një tjetër pjesë e komunikimeve tregon interesimin për nxjerrjen e informacioneve të caktuara nga materiale të shkruara.

“ky libër është i mirëseardhur, e kam këtë libër, e kam nxjerr pjesën që na duhet, e kam nxjerr mjaltin nga zgjo i bletës, për këtë është çështja”, thuhet në një nga komunikimet e paraqitura.

Në materialet e ekzaminuara përmendet edhe Tahir Maloku, pronar i kompanisë “Fitoria”, për të cilin Shabani kishte shfaqur interesim.

Sipas shënimit të prezantuar në gjykatë, Shabani përpiqej ta ndërlidhte këtë kompani me mbështetjen financiare për UÇK-në gjatë luftës, përfshirë pretendimet për furnizimin me barna të spitalit ushtarak në Mollopolc.

Pikërisht ky spital është një prej elementeve qendrore të aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Prokuroria pretendon se Shabani kishte synuar ta ndërlidhte Spitalin Ushtarak të UÇK-së në Molloploc me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në Shqipëri.

Prokuroria: Informacionet i dërgoheshin BIA-s përmes Sërgjan Rosiqit

Procesi gjyqësor ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit ka nisur rishtazi, pas ndryshimeve në përbërjen e trupit gjykues.

Gjykatësi Vesel Ismajli, i cili po i afrohet pensionimit, është zëvendësuar nga gjykatësja Donika Shala-Abdyli. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri.

Të dy të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzën e spiunazhit.

Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzën më 19 shkurt 2025, duke pretenduar se të akuzuarit kishin mbledhur dhe dërguar informacione te shërbimi inteligjent serb.

Informacionet, sipas aktakuzës, përfshinin të dhëna për UÇK-në, eprorët dhe pjesëtarët e saj, Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Inspektoratin Policor dhe masakrën e Reçakut.

Në fjalën hyrëse, prokurori special Bekim Kodraliu ka deklaruar se provat e mbledhura do të dëshmojnë se të dy të akuzuarit i kanë shërbyer BIA-s.

Ai ka veçuar aktivitetin e Shabanit dhe kontaktet e tij me Sërgjan Rosiqin.

“Gjatë administrimit të provave, do të vërtetohet që i pandehuri Bedri Shabani nga një datë e pacaktuar e deri në arrestimin e tij 05.06.2024, e ka ndihmuar BIA-në përmes Sërgjan Rosiqit, në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe librave që kanë të bëjnë më ngjarjet të UÇK-së. Këto veprime i ka ndërmarrë përmes komunikimit telefonik dhe takimeve fizike me Sërgjan Rosiqin”, ka deklaruar Kodraliu.

Prokurori ka thënë se pretendimet do të mbështeten në më shumë se 30 raporte policore, prova materiale, dokumente, fotografi dhe të dhëna për lëvizjet e të akuzuarit drejt Serbisë.

Sipas tij, mes provave janë edhe materiale të gjetura në posedim të Shabanit, përfshirë fotografi të luftës, albume dhe dokumentacione që lidhen me ngjarjet e UÇK-së.

Prokuroria pretendon se qëllimi i veprimeve ishte edhe krijimi i një narrative të pavërtetë për luftën e UÇK-së dhe vënia në dyshim e së vërtetës për masakrën e Reçakut.

Shabani dhe Qerimi akuzohen për spiunazh, ndërsa Qerimi ngarkohet edhe për armëmbajtje pa leje, vepër për të cilën, sipas prokurorit, e ka pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar.

Pretendimet e Prokurorisë dhe kuptimi i komunikimeve të paraqitura mbeten objekt i shqyrtimit gjyqësor.