Ndahet nga jeta Ali Ngucati, bashkudhëtari i komandantit Adem Jashari

Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka njoftuar për vdekjen e Ali Ngucatit, të cilin e ka kujtuar me fjalë të zgjedhura, duke vlerësuar kontributin e tij në luftën për liri dhe pavarësi të Kosovës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gucati e ka cilësuar të ndjerin…

Lajme

09/10/2026 14:41

Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka njoftuar për vdekjen e Ali Ngucatit, të cilin e ka kujtuar me fjalë të zgjedhura, duke vlerësuar kontributin e tij në luftën për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gucati e ka cilësuar të ndjerin si burrë trim, luftëtar të orëve të para dhe bashkudhëtar të komandantit legjendar Adem Jashari.

Ai ka theksuar se Ali Ngucati do të kujtohet për fisnikërinë, trimërinë dhe dashurinë e palëkundur për atdheun.

“Sot Kosova humbi një nga shtyllat e saj më të forta”, ka shkruar Gucati, duke shtuar se njerëz të tillë mbeten përgjithmonë të gdhendur në historinë dhe kujtesën e vendit.

Në mesazhin e tij, kreu i OVL-UÇK-së ka shprehur nderimet për jetën, veprën dhe sakrificën e Ali Ngucatit, duke theksuar se liria dhe pavarësia e Kosovës mbartin mbi vete gjakun dhe kontributin e atyre që sakrifikuan për atdheun.

Për ndarjen nga jeta të Ngucatit, ka shprehur ngushëllime komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari.