Fituan “Medaljen e Artë”, komandanti i FSK-së i dekoron pjesëtarët e ekipit
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti në takim ekipin e FSK-së që përfaqësoi Republikën e Kosovës në garën prestigjioze ndërkombëtare ushtarake “Cambrian Patrol 2026”, ku arriti të fitojë Medaljen e Artë, duke shënuar një sukses të rëndësishëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Me këtë rast, Gjenerallejtënant Jashari përgëzoi pjesëtarët…
Lajme
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti në takim ekipin e FSK-së që përfaqësoi Republikën e Kosovës në garën prestigjioze ndërkombëtare ushtarake “Cambrian Patrol 2026”, ku arriti të fitojë Medaljen e Artë, duke shënuar një sukses të rëndësishëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Me këtë rast, Gjenerallejtënant Jashari përgëzoi pjesëtarët e ekipit për rezultatin e arritur, duke vlerësuar lart profesionalizmin, disiplinën, qëndrueshmërinë fizike dhe mendore, si dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të dëshmuar gjatë garës. Ai theksoi se ky sukses është rezultat i përgatitjes së vazhdueshme, punës ekipore dhe standardeve të larta profesionale të pjesëtarëve të FSK-së.
Në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për këtë arritje, Komandanti i FSK-së dekoroi pjesëtarët e ekipit me medalje për arritje të rezultateve të larta, duke theksuar se përfaqësimi dinjitoz në gara të tilla ndërkombëtare pasqyron përkushtimin dhe gatishmërinë e FSK-së për të përmbushur me sukses detyrat dhe misionin e saj.
Fitimi i Medaljes së Artë në “Cambrian Patrol 2026” përbën një dëshmi të rëndësishme të aftësive profesionale, përgatitjes dhe qëndrueshmërisë së pjesëtarëve të FSK-së, duke konfirmuar progresin e vazhdueshëm në ngritjen e kapaciteteve të saj.
Kjo arritje jo vetëm që nderon Forcën e Sigurisë së Kosovës, por njëkohësisht forcon imazhin dhe prestigjin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke dëshmuar se pjesëtarët e FSK-së janë të përgatitur për t`u përballur me çdo sfidë në aspektin profesional dhe janë të gatshëm t`i tejkalojnë këto sfida duke dëshmuar rezultat të lartë përkrah forcave ushtarake partnere dhe aleate.