Prokuroria Speciale pushon hetimin ndaj Izedin Bytyqit për aferën e ambalazhuesve të ujit

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pushuar hetimin ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Mjedisit, Izedin Bytyqi, i cili ishte nën hetime për dyshime për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në rastin e njohur si “afera e ambalazhuesve të ujit”. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Bytyqi, i cili ka njoftuar se më…

Lajme

08/10/2026 16:06

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pushuar hetimin ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Mjedisit, Izedin Bytyqi, i cili ishte nën hetime për dyshime për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në rastin e njohur si “afera e ambalazhuesve të ujit”.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Bytyqi, i cili ka njoftuar se më 8 tetor ka pranuar aktvendimin për pushimin e hetimit, pas një procesi që, sipas tij, ka zgjatur rreth dy vjet.

“Sot kam pranuar aktvendimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës me të cilin është pushuar hetimi ndaj meje, i zhvilluar për dy vite nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, në lidhje me rastin e njohur publikisht si ‘afera e ambalazhuesve të ujit’”, ka shkruar Bytyqi në Facebook.

Sipas tij, gjatë hetimit janë ndërmarrë veprime të ndryshme, përfshirë masa të fshehta hetimore, kontrolle dhe verifikime të pasurisë, pronave, llogarive bankare dhe transaksioneve financiare.

Bytyqi ka deklaruar se pas shqyrtimit të provave dhe materialeve të mbledhura, Prokuroria ka vendosur ta pushojë hetimin, pasi, sipas tij, nuk janë gjetur prova që vërtetojnë kryerjen e veprës penale për të cilën ishte hetuar.

“Ky vendim nuk i fshin dy vitet e vështira që kam kaluar, por është një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të plotë të dinjitetit dhe reputacionit tim”, ka shkruar ai, duke shtuar se procesi ka pasur pasoja personale, familjare dhe profesionale.

Bytyqi ishte arrestuar në vitin 2024, së bashku me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, Naser Hafizi. Rasti lidhej me borxhet e operatorëve ekonomikë që merreshin me ambalazhimin e ujit.

Në atë kohë, dyshimet kishin të bënin me pretendimet se Bytyqi kishte tejkaluar kompetencat zyrtare dhe kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ujërat dhe udhëzimin për strukturën e pagesave ujore.

Në kuadër të rastit ishte përmendur edhe një raport i grupit ministror, sipas të cilit borxhi i operatorëve ekonomikë ndaj Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore arrinte në 19,297,447.47 euro.

Sipas dyshimeve të ngritura në atë kohë, Bytyqi dyshohej se kishte nxjerrë vendime për zvogëlimin e borxheve të disa operatorëve ekonomikë pa bazë ligjore dhe pa verifikuar faktet. Këto veprime dyshohej se mund t’u sillnin përfitime të kundërligjshme personave të caktuar dhe t’i shkaktonin dëm buxhetit të shtetit.

Në vitin 2026, në lidhje me këtë rast ishte intervistuar për disa orë edhe ish-ministri i Mjedisit, Liburn Aliu.

Ndërkohë, Bytyqi gjatë këtij viti kishte dhënë dorëheqje nga pozita e sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës.

Në fund të reagimit të tij, ai ka falënderuar familjarët, miqtë dhe kolegët që, siç ka thënë, i kanë qëndruar pranë gjatë periudhës së hetimit.

“Dua të falënderoj miqtë, kolegët, familjarët dhe të gjithë ata që gjatë kësaj periudhe kanë besuar në mua dhe kanë pritur me durim përfundimin e procesit”, ka shkruar Bytyqi. /Lajmi.net/