Shiroka Pula nis detyrën me homazhe në Prekaz, te varri i Rugovës dhe Demaçit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka nisur detyrën e saj me homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i Presidentit historik, Ibrahim Rugova, si dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi. Në Prekaz, Presidentja Shiroka Pula ka nderuar sakrificën e familjes Jashari dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari.…
Lajme
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka nisur detyrën e saj me homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i Presidentit historik, Ibrahim Rugova, si dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.
Në Prekaz, Presidentja Shiroka Pula ka nderuar sakrificën e familjes Jashari dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari.
“Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës së pashembullt për atdheun”, ka deklaruar ajo.
Më pas, gjatë homazheve te varri i Presidentit historik, Ibrahim Rugova, Shiroka Pula ka vlerësuar urtësinë dhe vizionin me të cilin ai e udhëhoqi Kosovën në një nga periudhat më vendimtare të historisë së saj.
“Trashëgimia e tij politike dhe vizioni për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të orientuar drejt botës perëndimore janë udhërrëfyes për ne”, ka theksuar Presidentja.
Te varri i veprimtarit Adem Demaçi, Presidentja ka nderuar jetën dhe veprën e tij, duke vlerësuar kontributin e tij për lirinë dhe dinjitetin e popullit të Kosovës.
“Me vendosmërinë dhe sakrificën e tij, Demaçi u bë simbol i qëndresës dhe i mosnënshtrimit përballë padrejtësisë”, është shprehur Shiroka Pula.
Presidentja Shiroka Pula ka theksuar se nderimi i këtyre figurave është edhe një rikujtim i themeleve mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.
“Shteti i Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën, vizionin dhe qëndresën e brezave”, ka thënë ajo. /Lajmi.net/
