“Kosova e grave” – Presidenca dhe Kuvendi i Kosovës drejtohen nga dy gra
Me zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës Presidente të Republikës së Kosovës, dy prej institucioneve kryesore të shtetit – Presidenca dhe Kuvendi – tashmë drejtohen nga gra. Kuvendi i Kosovës e zgjodhi më 6 tetor 2026 Shiroka-Pulën Presidente të Republikës me 81 vota, pas një procesi të zhvilluar në seancë të jashtëzakonshme. Ajo më pas dha betimin…
Lajme
Me zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës Presidente të Republikës së Kosovës, dy prej institucioneve kryesore të shtetit – Presidenca dhe Kuvendi – tashmë drejtohen nga gra.
Kuvendi i Kosovës e zgjodhi më 6 tetor 2026 Shiroka-Pulën Presidente të Republikës me 81 vota, pas një procesi të zhvilluar në seancë të jashtëzakonshme. Ajo më pas dha betimin kushtetues dhe në fjalimin e saj u zotua se do të jetë Presidente e të gjithë qytetarëve.
Në anën tjetër, Albulena Haxhiu është Kryetare e Kuvendit të Kosovës. Ajo u zgjodh në këtë pozitë më 13 shtator 2026 dhe, për një periudhë, ka ushtruar edhe detyrën e Presidentes së Republikës.
Kështu, me zgjedhjen e Shiroka-Pulës, për herë të parë në këtë përbërje institucionale, Presidenca dhe Kuvendi i Kosovës janë në duart e dy grave, në dy prej pozitave më të rëndësishme të institucioneve shtetërore.
Jo hera e parë që Kosova ka presidente gra
Zgjedhja e Shiroka-Pulës vjen në një histori ku gratë tashmë kanë pasur rol të rëndësishëm në udhëheqjen e Presidencës.
Para saj, Kosovën e kanë drejtuar si presidente dy gra: Atifete Jahjaga dhe Vjosa Osmani. Jahjaga ishte presidente e Kosovës në periudhën 2011–2016, ndërsa Osmani e ushtroi detyrën e presidentes nga viti 2021 deri në përfundimin e mandatit të saj në vitin 2026.
Me Shiroka-Pulën, Kosova tash ka presidenten e tretë grua në historinë e saj.
Zhvillimi shënon gjithashtu një tjetër moment të rëndësishëm për përfaqësimin e grave në institucionet më të larta të vendit, pasi njëkohësisht Kryetarja e Kuvendit dhe Presidentja e Republikës janë gra.
Atifete Jahjaga është zgjedhur Presidente e Kosovës më 7 prill 2011. Ajo ka marrë 80 vota për në Kuvendin e Kosovës.
Jahjaga ishte kandidatja e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet liderëve të këtyre tri partive politike, nën ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell.
Ajo fitoi në rrethin e parë të votimit. Për kundërkandidate kishte deputeten e AKR-së, Suzana Novobërdaliun, e cila mori vetëm 10 vota, përderisa 10 vota të tjera ishin të pavlefshme.
Jahjaga ka ushtruar mandatin e saj deri më 2016, ndërsa pas saj ka ardhur Hashim Thaçi në krye të Presidencës, i cili ka dhënë dorëheqje pasi është thirrur nga Gjykata Speciale në Hagë.
Me 71 vota për, kuvendi më 4 prill 2021, zgjodhi Vjosa Osmanin në postin e presidentes së Kosovës me mandat pesëvjeçar.
Osmani fitoi në raundin e tretë të votimit, ku morën pjesë 82 deputetë. Për kundërkandidat kishte ish-kandidatin për deputet nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Nasuf Bejtën, i cili nuk mori asnjë votë.
Në këtë seancë nuk morën pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ata të Listës Serbe. Kuorumin për zgjedhjen e Osmanit ia mundësoi ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës, që është në opozitë.
Osmani ka përfunduar mandatin e saj në prill 2026, dhe që nga atëherë për 6 muaj Kosova ka qenë me ushtruese të detyrës së Presidentit.
Për shkak të mos arritjes së konsesusit për të zgjedhur Presidentin, Kosova në qershor shkoi në zgjedhje të reja të cilat u mbajten më 7 qershor.
Dje, në ditën e fundit për zgjedhjen e Presidentit, PDK dhe VV arritën konsesus ku e votuan Justina Shiroka Pulën Presidente të Kosovës për pesë vitet e ardhshme./Lajmi.net/