Hamza: Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Presidenti nuk janë të ndërlidhura, PDK kërkon fillimisht votimin e ligjit
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se qëndrimi i partisë së tij për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara ka qenë dhe mbetet konsistent, duke theksuar se miratimi i tij në dy leximet nuk është i lidhur me ndonjë pozitë politike apo institucionale. Hamza, në një deklaratë për media,…
Lajme
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se qëndrimi i partisë së tij për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara ka qenë dhe mbetet konsistent, duke theksuar se miratimi i tij në dy leximet nuk është i lidhur me ndonjë pozitë politike apo institucionale.
Hamza, në një deklaratë për media, tha se çështja e zgjedhjes së Presidentit ka koinciduar me procesin e miratimit të ligjit, por sipas tij, PDK-ja e ka të qartë renditjen e hapave.
“Qëndrimi i PDK-së ka qenë dhe vazhdon të jetë konsistent. Aprovimi i ligjit për Dhomat e Specializuara në dy leximet. Nuk janë çështje të ndërlidhura me asnjë pozitë politike apo institucionale”, tha Hamza.
Ai kritikoi vonesat në konstituimin e Kuvendit dhe tha se deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret serioz për zgjedhjen e Presidentit.
Sipas Hamzës, PDK-ja e ka mbështetur edhe deklaratën politike për luftën e UÇK-së, por theksoi se mbrojtja e vlerave të luftës çlirimtare nuk është përgjegjësi vetëm e një partie.
“UÇK-ja na takon të gjithëve, liria na takon të gjithëve, shteti na takon të gjithëve”, tha ai.
Duke folur për Ligjin për Dhomat e Specializuara, Hamza tha se qëllimi është vendosja e mbikëqyrjes, transparencës dhe llogaridhënies, pa ndërhyrë në punën e gjyqtarëve.
“Drejtësi për njerëzit që janë në këtë proces, për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin”, tha Hamza.
Ai theksoi se PDK-ja ka lënë hapësirë edhe për procesin e Apelit, në mënyrë që Dhomat e Specializuara të dëshmojnë se mund të ofrojnë drejtësi.
Hamza foli edhe për çështjen e procedurës parlamentare, duke kundërshtuar pretendimet se duhet të kalojnë 72 orë ndërmjet dy leximeve.
“Ne nuk kemi kërkuar mocion për procedurë të përshpejtuar, ne kërkojmë shmangie të procedurës. Është dallim substancial juridik, dhe kjo e përjashton kohën prej 72 orëve”, deklaroi ai.
Sa i përket ofertës për votat e deputetëve të PDK-së në këmbim të mbështetjes për ligjin, Hamza tha se marrëveshja për Bekim Sejdiun nuk është bërë me PDK-në.
“Marrëveshja për Sejdiun nuk është marrëveshje me PDK-në, por me subjekt tjetër politik. Është marrëveshje me LDK-në”, tha ai.
Hamza kërkoi që deputetët të jenë të pranishëm në sallë dhe të votojnë sipas bindjeve të tyre.
“Po t’i kërkoj 10-11 deputetë, atëherë edhe unë po t’i kërkoj ty 29. Silli në sallë, si të duan të votojnë, por nuk shkon kështu. Nëse duam të bëjmë ligjin, silli 29 deputetë në sallë, le të votojnë si të duan”, u shpreh Hamza.
Në fund, ai përsëriti se qëndrimi i PDK-së është i qartë: fillimisht miratimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara në dy leximet, e më pas çështja e Presidentit. /Lajmi.net/