PDK-ja lëshon sallën e kuvendit pasi s’u miratua kërkesa e tyre- në sallë mbetet vetëm Rrustem Mustafa

Në Kuvendin e Kosovës po vazhdojnë zhvillimet e njëpasnjëshme. Si fillim deputeti i PDK,së Arian Tahiri, kërkoi që shqyrtimi i dytë i projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të mbahet sot në ora 17:30, por Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se gjatë shqyrtimit të pikave të rendit të ditës nuk mund…

Lajme

05/10/2026 14:10

Në Kuvendin e Kosovës po vazhdojnë zhvillimet e njëpasnjëshme.

Si fillim deputeti i PDK,së Arian Tahiri, kërkoi që shqyrtimi i dytë i projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të mbahet sot në ora 17:30, por Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se gjatë shqyrtimit të pikave të rendit të ditës nuk mund të ndërhyhet me mocione të tilla.

Ajo u bëri thirrje partive që, në vend të kësaj, të punojnë për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit, duke përmendur edhe situatën pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Nuk ka më të rëndësishme se presidenti. Nuk mund ta çojmë vendin në zgjedhje sërish”, tha Haxhiu, duke shtuar se është optimiste se mund të gjendet një zgjidhje.

“UÇK-në nuk mund ta mbrojë vetëm PDK-ja. UÇK ka në secilën parti”, tha ajo.

Projektligji për Specialen u miratua më herët gjatë ditës në lexim të parë me 91 vota për, pa asnjë votë kundër apo abstenim.

E tutje, Arian Tahiri, përsëriti kërkesën që ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të votohen me urgjencë edhe në lexim të dytë.

“Kuvendi i Kosovës është i rrethuar me qytetarë që kanë ndjeshmëri për këtë temë, andaj nuk duhet të veprojmë sikur nuk po ndodh asgjë”, tha Tahiri në replikë ndaj kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Ai tha se UÇK-ja është “mbi secilën parti politike dhe është e të gjithëve”.

“Të gjithë duhet ta mbrojmë dhe të vazhdojmë të jemi krenarë me të”, tha Tahiri.

Pas kësaj nga PDK-ja kanë lëshuar sallën e kuvendit. I vetëm në seancë është Rrustem Mustafa (Remi), i cili edhe disa herë radhazi ka propozuar një koalicion të mundshëm në mes VV dhe PDK-së./Lajmi.net/