Kurti në “Tetorin Rozë”: Zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit është jetik, mos i injoroni shqetësimet dhe mos i shtyni kontrollet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë sot në hapjen e fushatës “Tetori Rozë” që është mbajtur në Kuvendin e Kosovës. Në fjalën e tij, Kurti ka thënë se janë aty për gratë në trajtim dhe për ato që e kanë përfunduar atë, që të rrisin vetëdijën për të bërë kontrolle të rregullta dhe…

Lajme

01/10/2026 09:46

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë sot në hapjen e fushatës “Tetori Rozë” që është mbajtur në Kuvendin e Kosovës.

Në fjalën e tij, Kurti ka thënë se janë aty për gratë në trajtim dhe për ato që e kanë përfunduar atë, që të rrisin vetëdijën për të bërë kontrolle të rregullta dhe ta zbulojnë e ta trajtojnë atë me kohë.

Kurti ka falenderuar të gjitha organizatat që përmes punës së tyre iu qëndrojnë pranë grave dhe familjeve të tyre.

“Gjatë vitit 2025, në Kosovë janë raportuar 601 raste të reja të kancerit të gjirit; 592 te gratë dhe 9 te burrat. Deri në vitin 2022, shumica e rasteve të diagnostikuara me kancer të gjirit ishin ose në fazën e tretë, ose të katërt. Falë shtimit të pajisjeve diagnostikuese dhe fushatave ndërgjegjësuese, nga Ministria e Shëndetësisë dhe në bashkëpunim me organizatat joqeveritare, në vitet 2023 dhe 2024 shumica e rasteve u diagnostikuan në fazën e parë ose të dytë. I njëjti trend është evidentuar edhe në vitin e kaluar, 2025, kur mbi 53.4% të rasteve janë diagnostikuar në stadet e hershme. Për këto raste, mundësitë për trajtim dhe shërim janë dukshëm më të mira”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se zbulimi i hershëm i kësaj sëmundje është jetik, dhe sipas tij shqetësimet nuk duhen injoruar e as kontrollet nuk duhet të shtyhen.

“Në shëndetësinë publike, që nga viti 2023, mamografia ofrohet falas. Së fundmi, një mamograf është blerë dhe tashmë është funksional në Fushë Kosovë. E në shëndetësinë tek ne, konkretisht në Klinikën e Onkologjisë, janë vendosur edhe dy akseleratorë të rinj, njëri prej tyre është i pajisur me sistemin CRAD, që ndihmon në realizimin e radioterapisë me saktësi të lartë, i vetmi në rajon. Por përveç Fushë Kosovës, janë edhe 8 mamografë të tjerë që të gjithë dixhitalë, të cilët do të vijnë këtë vit dhe do të shpërndahen nëpër komunat e Kosovës, aty ku nuk ka”, tha ai. /Lajmi.net/