PDK largohet nga Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së, kërkon procedimin e Ligjit për Specialen

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) janë larguar nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), menjëherë pas konstituimit të tij. PDK-ja ka kërkuar që në Kuvend të procedohet sa më shpejt plotësim-ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, tha se konstituimi…

Lajme

01/10/2026 10:27

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) janë larguar nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), menjëherë pas konstituimit të tij.

PDK-ja ka kërkuar që në Kuvend të procedohet sa më shpejt plotësim-ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, tha se konstituimi i institucioneve është i rëndësishëm, por sipas saj, në këtë fazë prioritet duhet të jetë Ligji për Dhomat e Specializuara.

“Ne sapo morëm pjesë në Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe natyrisht, si Parti Demokratike e Kosovës, konsiderojmë që konstituimi i institucioneve është shumë i rëndësishëm, prandaj edhe ishim aty. Mirëpo gjithashtu jemi larguar nga ky takim pas konstituimit për shkak se për momentin për Republikën e Kosovës nuk ka ndonjë prioritet më të madh sesa procedimi i plotësim-ndryshimit të Ligjit për Specialen”, tha Kabashi-Ramaj.

Edhe deputeti Rrahman Rama deklaroi se PDK-ja e konsideron këtë ligj si “prioritet mbi prioritetet”. Ai paralajmëroi se deputetët e kësaj partie nuk do të marrin pjesë në komisione të tjera deri në procedimin e tij.

“Për neve si parti, qysh e tha edhe Besa, është prioritet mbi prioritetet ligji. Dhe ne nuk do të marrim pjesë në asnjë komision pa u kry ky ligj. Në qoftë se shohim, kanë ardhur shumë ligje këtu brenda Kuvendit, nëpër komisione të ndryshme, dhe ne besojmë, dhe po besoj, edhe gjithë qytetarët besojnë që prioriteti numër një është Ligji për Dhomat e Specializuara”, deklaroi Rama.

I pyetur për deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se ligji do të procedohet brenda javës, Rama tha se PDK-ja pret që kjo të bëhet sa më shpejt.

“E presim, e presim na, këtu jemi. Por presioni është që sa më parë që të vijë, sa më parë që është e mundshme me ardhur në Kuvend dhe t’i kryejmë të gjitha procedurat”, tha ai.

Rama u pyet edhe për takimet e paralajmëruara të kryeministrit Kurti me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, lidhur me çështjen e presidentit.

Ai përsëriti se për PDK-në, fillimisht duhet të procedohet Ligji për Dhomat e Specializuara, duke përfshirë, sipas tij, mbikëqyrjen e procesit dhe përkrahjen financiare.

“Ju e dini edhe qëndrimin e PDK-së, po edhe vetë kryetarit Bedri Hamza. Për neve prioritet është e para, domethënë Ligji për Dhomat e Specializuara të ketë mbikëqyrje të procesit dhe përkrahje financiare. Dhe pas asaj mundemi me u ulë dhe me diskutuar. Është edhe me ne edhe qëndrimi jonë që të ketë sa më parë që është e mundshme Kosova t’i ketë të gjitha institucionet”, tha Rama.