lajmi.net

Behrami i reagon Kurtit: Pse nuk ke të njëjtin motiv për mbrojtjen e UÇK-së si për Ligjin për Shtetësi serbe?

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti lidhur me procedimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Behrami ka thënë se mendimi ligjor i Ministrisë së Drejtësisë për këtë çështje nuk është obligues për deputetët dhe se, sipas tij, procedura mund të ishte përfunduar…

Lajme

30/09/2026 14:39

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti lidhur me procedimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Behrami ka thënë se mendimi ligjor i Ministrisë së Drejtësisë për këtë çështje nuk është obligues për deputetët dhe se, sipas tij, procedura mund të ishte përfunduar shumë më shpejt.

“Fillimisht, mendimi ligjor i Ministrisë së Drejtësisë është totalisht i parëndësishëm, as nuk është i obligueshëm për neve deputetëve. Ai është rutinë koti dhe ka mundur me e bërë brenda dy minutave, me disa mendime dhe me e sjellë në Kuvend”, deklaroi Behrami në emisionin “Kosova Today”.

Ai më pas e ka pyetur pse, sipas tij, Kurti nuk tregon të njëjtin angazhim si për Ligjin për Shtetësi edhe për çështjet që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Po pse nuk e ka kryeministri zellin e njëjtë? Motivin e njëjtë? Me çfarë shpejtësie e ka pru ligjin për shtetësi serbe që neve ka me na e ndryshu demografinë në Kosovë, a e dini se me shpejtësi të dritës e ka pru në komisione në lexim të parë e lexim të dytë”, tha ai.

Behrami ka kërkuar që i njëjti ritëm, sipas tij, të përdoret edhe për çështjet që lidhen me mbrojtjen e UÇK-së dhe Kosovës.

“Pse nuk e ka këtë zell për me e mbrojt UÇK-në? Për me e mbrojt Kosovën? Edhe ky është mendim i imi personal”, tha Behrami.