Michele Picard caktohet kryetare e trupit gjykues në Apelin ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Gjykatësja Michele Picard është caktuar kryetare e trupit gjykues në procesin e Apelit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Caktimi i saj është bërë i ditur përmes një vendimi të publikuar lidhur me afatet dhe procedurat e ankesave në këtë rast. Sipas vendimit, Mbrojtja dhe…
Lajme
Gjykatësja Michele Picard është caktuar kryetare e trupit gjykues në procesin e Apelit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Caktimi i saj është bërë i ditur përmes një vendimi të publikuar lidhur me afatet dhe procedurat e ankesave në këtë rast.
Sipas vendimit, Mbrojtja dhe Prokuroria duhet të dorëzojnë deri më 27 nëntor njoftimet e tyre për apel.
Në vendim bëhet e ditur gjithashtu se aktgjykimi i shkallës së parë ende nuk është përkthyer në gjuhën shqipe, çka nënkupton se publikimi i tij në shqip nuk pritet të bëhet së paku gjatë dy javëve të ardhshme.
Në vendim, Trupi i Apelit e udhëzon Sekretarinë që të raportojë lidhur me ecurinë e përkthimit dhe kohën e pritshme të përfundimit të tij.
“UDHËZON Sekretarinë që, brenda 10 ditësh nga dorëzimi i këtij Vendimi, ta njoftojë Trupin e Apelit për ecurinë e përkthimit të Aktgjykimit në gjuhën shqipe, si dhe për kohën e pritshme të përfundimit të tij”, thuhet në vendim.
Kështu, procedura e Apelit tashmë ka hyrë në fazën e përcaktimit të afateve për palët, ndërsa Mbrojtja dhe Prokuroria pritet të paraqesin njoftimet për ankesat e tyre deri në fund të nëntorit.
Kush është Michele Picard?
Michele Picard është Gjykatëse në Gjykatën e Apelit në Paris që nga qershori i vitit 2013. Ajo ka diplomuar për drejtësi në Universitetin e Parisit dhe e diplomuar në shkollën për gjykatës në Bordo (Bordeaux) më 1992.Para kësaj ajo ka punuar në tribunalin e Hagës, ka qenë Gjykatëse në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) nga viti 2008 deri në vitin 2013.
Ajo nga viti 2007 deri në vitin 2008 ka qenë anëtare e Panelit Këshillues për të Drejtat e Njeriut në Kosovë dhe kryesuese e Dhomës për të Drejtat e Njeriut në Bosnjë-Hercegovinë nga viti 1996 deri në vitin 2003.
Përveç që do ta udhëheq panelin e Apelit për rastin e ish-krerëve të UÇK-së, ajo së bashku me dy gjyqtarët tjerë kanë shqyrtuar më parë çështje të tjera në këtë gjykatë, përfshirë rastet e Salih Mustafës, Pjetër Shalës dhe Gucati & Haradinaj.