Kushtetuesja “udhëzon” deputetët: Jepjani popullit një President përfaqësues e simbol të unitetit

Rrjedhja e afatit për zgjedhjen e Presidentit për legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës nisi më 8 gusht dhe do të përfundojë më 6 tetor. Kështu konstatoi Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e fundit që doli si përgjigje ndaj kërkesës së PDK’së për vlerësim të kushtetutshmërisë së formimit të Kuvendit dhe Qeverisë. Krahas afatit, Gjykata…

Lajme

30/09/2026 13:40

Rrjedhja e afatit për zgjedhjen e Presidentit për legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës nisi më 8 gusht dhe do të përfundojë më 6 tetor. Kështu konstatoi Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e fundit që doli si përgjigje ndaj kërkesës së PDK’së për vlerësim të kushtetutshmërisë së formimit të Kuvendit dhe Qeverisë.

Krahas afatit, Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e plotë që e publikoi dje, pati një thirrje për deputetët që të zgjedhin një President që përfaqëson unitetin e popullit ashtu siç e kërkon Kushtetua.

“Gjykata vlerëson se Kushtetuta u ka dhënë deputetëve gjithë hapësirën e nevojshme që në kuadër të garancive të mandatit jodetyrues dhe kërkesave për të ushtruar mandatin e tyre në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës, të gjejnë mënyrën për t’i dhënë shtetit Presidentin e ri, ndërsa popullit përfaqësuesin dhe simbolin e unitetit”, tha Gjykata në aktgjykim.

Për këtë, Gjykata referoi të shikohen procedurat e përcaktuara me Kushtetutë dhe të sqaruara më tej në praktikën gjyqësore (rastet e Gjykatës: KO29/11, parashtrues Sabri Hamiti dhe deputetë të tjerë, Aktgjykim, i 28 marsit 2011; dhe KO47/16, parashtrues Aida Dërguti, Bali Muharremaj, Enver Hoti dhe 25 deputetë të tjerë, Aktvendim për papranueshmëri, i 21marsit 2016).

Kushtetuesja tha se si rrjedhojë e konstatimit të gjykatës që afati për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht 2026 dhe se kalimi i këtij afati detyrues ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve tjera kushtetuese, Gjykata konstaton që afati për zgjedhjen e Presidentit, në rrethanat e rastit konkret ka filluar të rrjedhë më 8 gusht 2026.