Kurti: Aktgjykimi i Speciales ka tri defekte kapitale, duhet të korrigjohen në Apel

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka, sipas tij, tri probleme kryesore, të cilat duhet të trajtohen në procedurën e Apelit. Kurti tha se nuk ka pritur drejtësi nga kjo gjykatë, duke rikujtuar se qëndrimi i tij ndaj Dhomave të Specializuara…

Lajme

30/09/2026 12:36

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka, sipas tij, tri probleme kryesore, të cilat duhet të trajtohen në procedurën e Apelit.

Kurti tha se nuk ka pritur drejtësi nga kjo gjykatë, duke rikujtuar se qëndrimi i tij ndaj Dhomave të Specializuara nuk ka ndryshuar.

“Te ky aktgjykimi i Dhomave të Specializuara, nga i cili nuk mund të them se kam pritur drejtësi, sepse asnjëherë nuk e kam ndryshuar qëndrimin tim për këtë Gjykatë, janë tri defekte kapitale”, tha Kurti.

Sipas tij, problemi i parë është cilësimi i rastit përmes konceptit të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

“I pari është cilësimi ndërmarrje e përbashkët kriminale. Nuk ka pasur ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe kjo duhet doemos të korrigjohet në Apel”, deklaroi ai.

Si problem të dytë, Kurti përmendi atë që e cilësoi si mungesë të transparencës dhe karakter “monoetnik” të Gjykatës.

Në këtë kontekst, ai përmendi edhe rastin e masakrës së Dubravës, për të cilën tha se zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, kishte bërë kallëzim penal në Dhomat e Specializuara.

Sipas Kurtit, kallëzimi ishte bërë në prill të vitit 2023, por deri tani nuk ka marrë përgjigje nga Dhomat e Specializuara.

“Ky është karakteri monoetnik, bashkë me mungesën e transparencës, janë defekti i dytë kapital”, tha Kurti.

Si problem të tretë, kryeministri përmendi ato që i cilësoi si pasaktësi faktike dhe historike të dëgjuara gjatë shpalljes së aktgjykimit.

Kurti theksoi se më 16 shtator janë lexuar vetëm disa dhjetëra faqe të aktgjykimit, ndërsa dokumenti i plotë përmban mijëra faqe.

“Është çështje javësh kur do të dalë verdikti i plotë dhe unë dyshoj që dikush nga mbrojtja ka arritur ta lexojë me saktësi e plotni këtë vendim. Është shumë voluminoz”, u shpreh ai.

Kurti kërkoi që institucionet e Kosovës, subjektet politike dhe Shqipëria të bashkëpunojnë lidhur me procesin e Apelit.

Ai tha se nevojitet një strategji e përbashkët shtetërore dhe koordinim më i madh ndërmjet aktorëve politikë.

“Vetëm në këtë mënyrë, me një strategji të përbashkët shtetërore, me qëllimin e përbashkët fitoren në Apel, ne dalim triumfues”, tha Kurti.

Ai kërkoi bashkëpunim edhe me liderët e partive politike, duke përmendur Memli Krasniqin dhe Lumir Abdixhikun, si dhe subjektet e tjera parlamentare.

Në fund, Kurti foli edhe për procedurat që lidhen me një iniciativë të Kuvendit të Kosovës. Ai tha se Kuvendi ka kërkuar opinion nga Zyra Ligjore e Kryeministrisë, ndërsa kjo e fundit ka kërkuar mendime edhe nga Zyra Ligjore e Ministrisë së Drejtësisë dhe Departamenti i Buxhetit në Ministrinë e Financave.

Sipas Kurtit, këto opinione pritet të përmblidhen gjatë kësaj jave dhe më pas t’i përcillen Kuvendit për vazhdimin e procedurave.

Ai sqaroi se bëhet fjalë për një iniciativë të Kuvendit dhe jo për një propozimligj të Qeverisë. /Lajmi.net/