Për herë të parë në Kosovë, nis heqja e një dige për rikthimin e rrjedhës së lirë të lumit
Organizata mjedisore Ecopana ka njoftuar se ka nisur punën për heqjen e një dige në lumin Mirusha, me synim rikthimin e rrjedhës së lirë të lumit. Sipas Ecopanës, diga është në gjendje të degraduar dhe, përveç pengimit të rrjedhës natyrore të lumit, ndikon edhe në grumbullimin e ujit dhe sedimenteve. Sipas organizatës, kjo ka shtuar…
Lajme
Organizata mjedisore Ecopana ka njoftuar se ka nisur punën për heqjen e një dige në lumin Mirusha, me synim rikthimin e rrjedhës së lirë të lumit.
Sipas Ecopanës, diga është në gjendje të degraduar dhe, përveç pengimit të rrjedhës natyrore të lumit, ndikon edhe në grumbullimin e ujit dhe sedimenteve. Sipas organizatës, kjo ka shtuar shqetësimet për vërshime dhe sigurinë e banorëve që jetojnë pranë lumit.
Organizata thotë se puna po zhvillohet në përputhje me vendimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për heqjen e barrierave të vjetruara nga lumenjtë dhe rikthimin e rrjedhës së tyre të lirë.
Sipas Ecopanës, kjo përbën rastin e parë në Kosovë të heqjes së një dige me qëllim rikthimin e rrjedhës së lirë të një lumi.
“Për herë të parë në Kosovë, po hiqet një digë për t’ia rikthyer lumit rrjedhën e lirë”, thuhet në njoftimin e organizatës.
Ecopana ka theksuar se lumi Mirusha ka rëndësi të veçantë edhe për biodiversitetin. Në këtë zonë është zbuluar lloji i merimangës Eratigena mirusha, i cili mban emrin e lumit.
Pas heqjes së digës, organizata synon të punojë në rikthimin e shtratit të lumit dhe monitorimin e tij, ndërsa përvoja e krijuar nga ky projekt pritet të përdoret edhe në ndërhyrje të ardhshme në lumenjtë e Kosovës.
Sipas Ecopanës, projekti po realizohet me mbështetjen e Open Rivers Programme, të cilës organizata i ka shprehur mirënjohje për bashkëpunimin.