“Ku gabuam?” – Musliu pas vendimit të Speciales: Nëse ka mbetur edhe 1% shpresë, do të luftojmë për drejtësi, historia nuk do të shkruhet nga të tjerët

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu pas vendimit të rëndë që Gjykata Speciale në Hagë ka marrë për rkerët e UÇK-së, ka pyetur “ku gabuam”. Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se pyetja më e rëndë që duhet t’ia bëjmë vetës sot nuk është “Pse ndodhi kjo” por “Ku gabuam”. “Sepse historia nuk është…

Lajme

24/09/2026 09:13

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu pas vendimit të rëndë që Gjykata Speciale në Hagë ka marrë për rkerët e UÇK-së, ka pyetur “ku gabuam”.

Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se pyetja më e rëndë që duhet t’ia bëjmë vetës sot nuk është “Pse ndodhi kjo” por “Ku gabuam”.

“Sepse historia nuk është gjithmonë e drejtë me ata që e kanë shkruar me gjak. E drejtësia nuk është gjithmonë aq e shpejtë sa dhimbja e atyre që e kanë pritur”, ka shkruar Musliu.

Ajo ka thënë se mund të ketë ndryshuar bota, aleancat, interesat dhe konteksti politik ndërkombëtar por nuk ka ndryshuar e vërteta për Kosovën, as sakrificat e popullit të saj, as nuk janë zhdukur varret, nuk janë fshirë plagët e nuk janë kthyer të vdekurit.

“Historia nuk mund të rishkruhet vetëm sepse koha ka ndryshuar qëndrim. Ndoshta gabimi ynë më i madh ishte se besuam se ajo që ishte e drejtë do të ishte gjithmonë e mjaftueshme për ta bindur botën. Se mjaftonte që ne ta dinim të vërtetën. Por historia nuk mbrohet vetëm duke e ditur. Historia mbrohet duke e dëshmuar. Me dokumente. Me arkiva. Me dëshmi.Me diplomaci. Me dije. Me këmbëngulje. Dhe kur një popull nuk e shkruan vetë historinë e tij, gjithmonë do të ketë dikush tjetër që do të përpiqet ta shkruajë për të”, ka shkruar Musliu.

Ajo ka thënë se sot nuk është koha për t’i ikur pyetjes “ku gabuam”, por është koha për ta bërë atë pyetje deri në fund.

“Sepse një popull që nuk guxon të përballet me gabimet e veta, rrezikon t’i përsërisë ato. Por një popull që e njeh të vërtetën e vet, edhe kur drejtësia e vonon, edhe kur politika e harron, edhe kur bota ndryshon, nuk ka të drejtë ta harrojë veten. Sepse mund të ndryshojë konteksti politik. Mund të ndryshojë gjuha e diplomacisë. Mund të ndryshojnë interesat e fuqive. Mund të ndryshojnë aleatët dhe rrethanat. Por një gjë nuk mund të ndryshojë me votë, me mandat, me marrëveshje apo me aktgjykim: E vërteta e një populli që pagoi çmimin e lirisë me jetët e bijve të vet”, ka shkruar Musliu.

Ajo ka thënë nëse ka mbetur vetëm edhe 1% shans, do të luftojmë.

“Jo me urrejtje. Jo me hakmarrje. Por me të vërtetën, me dëshmi, me drejtësi dhe me këmbëngulje. Sepse kjo nuk është vetëm një betejë për ata që sot janë në Hagë. Është betejë për mënyrën se si do të kujtohet Kosova nesër. Dhe ne do të luftojmë. Për të vërtetën. Për dinjitetin. Për historinë. Sepse disa beteja nuk humben kur bie një vendim. Humbin vetëm atëherë kur një popull heq dorë së luftuari për të vërtetën e vet”, ka shtuar Musliu. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: