Mes librave dhe inteligjencës artificiale, Prishtina hap dyert për lexuesit e vegjël
Në Prishtinë është hapur sot edicioni i katërt i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë, i cili për 5 ditë do të sjellë aktivitete kulturore, edukative dhe artistike kushtuar fëmijëve. Agon Ahmeti, drejtor ekzekutiv i organizatës ETEA, tha se në kohën kur teknologjia dhe inteligjenca artificiale po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e…
Lajme
Në Prishtinë është hapur sot edicioni i katërt i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë, i cili për 5 ditë do të sjellë aktivitete kulturore, edukative dhe artistike kushtuar fëmijëve.
Agon Ahmeti, drejtor ekzekutiv i organizatës ETEA, tha se në kohën kur teknologjia dhe inteligjenca artificiale po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e përditshmërisë, libri nuk duhet të lihet pas dore.
“Unë po besoj që krejt ju jeni duke i përdorur telefonat, siç po e përdor edhe unë, teknologjinë, inteligjencën artificiale… edhe shumë mirë po bëni që po e përdorni, sepse inteligjenca artificiale na mundëson me zbuluar botën. Ama, ka diçka shumë të rëndësishme që s’bën me harru… Libri nuk bën me u harru. A e dini pse? Sepse librat na mundësojnë me bërë pyetje të mira, na e zhvillojnë mendjen për me bërë pyetje të mira. Në qoftë se na nuk lexojmë, na nuk dimë me bërë pyetje të mira, e kur nuk dimë me bërë pyetje të mira, inteligjenca artificiale nuk na jep përgjigje të mira. A e kuptuat? E para që na ka mundësu sot me festuar është Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ju falënderojmë shumë të gjithë ushtarët e Kosovës”, u shpreh Ahmeti.
Ndërsa Naime Beqiraj, drejtoreshë e Bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, tha se gjatë 2 viteve të fundit janë krijuar klube të leximit. Ajo paralajmëroi se nesër fëmijët do të mund të regjistrohen falas në bibliotekë.
“Ka dy vite që ne në bibliotekë kemi krijuar klubet e leximit, që i udhëheq mësuesja Fikrije, e do të krijojmë edhe të tjera. Dy herë në vit, në ditë të veçanta si kjo, kemi regjistrim falas. Kështu që ejani me shokë, me shoqe, prej orës 10:00 deri në orën 16:00. Të gjithë kemi regjistrim falas për një vit. Dhe kur ta mbushni një vit, ejani përsëri, kemi regjistrim falas. Ne kemi vizituar shkollat, edhe shkollat e parashkollorët kanë ardhur te ne. Por dëshirojmë që ju dhe moshatarët tuaj t’i kemi më të pranishëm në bibliotekë, që raftet tona të stërmbushen e të zbrazen nga leximet tuaja. Ne kemi biblioteka në disa lagje dhe në disa fshatra, jo vetëm në bibliotekën e madhe në Dardani. Tash së fundi, edhe në Pallatin e Rinisë, për moshat më të vogla, përplot ngjyra e libra në gjuhë të ndryshme, kemi Bibliotekën e Fëmijëve. Në secilën degë të bibliotekës, qoftë në lagje, qoftë në qendër, qoftë në Bibliotekën e Fëmijëve në Pallat”, tha Beqiraj.
Kurse Vesa Avdiu, redaktore në shtëpinë botuese “Albas”, foli për punën që qëndron pas përgatitjes së një libri. Sipas saj, momenti më i rëndësishëm është ai kur libri arrin në duart e lexuesve të vegjël.
“Si redaktore e di mirë se pas çdo libri që arrin te fëmijët ka shumë punë: një autor që ka krijuar një histori, një ilustrator i cili e ka pasuruar atë me ngjyra dhe një ekip i tërë i cili e ka menduar, e ka përpunuar dhe e ka përgatitur atë deri në detajin e fundit. Por momenti më i rëndësishëm për të gjithë ne që jemi pjesë e këtij procesi është momenti kur librat largohen nga duart tona dhe shkojnë në duart tuaja, lexues të vegjël. Prandaj, të dashur fëmijë, uroj që këto ditë të jenë të mbushura plot me takime, me histori të bukura dhe me ide të reja…”, u shpreh Avdiu.
Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë do të mbahet nga 23 deri më 27 shtator në Amfiteatrin e Sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.