Vrasja që tronditi Marsbergun: Dorëzohen dy të dyshuarit, njëri nga Vushtrria
Pas disa ditësh kërkimi nga autoritetet gjermane, dy të rinjtë e dyshuar për përleshjen fatale në Marsberg janë dorëzuar vetë në polici. Bëhet fjalë për 23-vjeçarin nga Vushtrria, Albin Bejtullahu, shtetas i Kosovës, dhe 22-vjeçarin Alex Olntasi, shtetas grek. Të dy ishin shpallur në kërkim lidhur me ngjarjen ku një 15-vjeçar nga Dortmundi humbi jetën.…
Lajme
Pas disa ditësh kërkimi nga autoritetet gjermane, dy të rinjtë e dyshuar për përleshjen fatale në Marsberg janë dorëzuar vetë në polici.
Bëhet fjalë për 23-vjeçarin nga Vushtrria, Albin Bejtullahu, shtetas i Kosovës, dhe 22-vjeçarin Alex Olntasi, shtetas grek. Të dy ishin shpallur në kërkim lidhur me ngjarjen ku një 15-vjeçar nga Dortmundi humbi jetën.
Sipas policisë së Dortmundit, dy të dyshuarit janë paraqitur vetë para autoriteteve të martën mbrëma. Më herët, ndaj tyre ishin lëshuar urdhërarreste nën dyshimin për vrasje të qëllimshme (“Totschlag”) dhe lëndim të rëndë trupor.
Ngjarja e rëndë kishte ndodhur më 19 shtator në lagjen Essentho të Marsbergut, pranë një feste private të ditëlindjes. Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se gjatë përleshjes, 15-vjeçari ishte goditur me thikë dhe kishte ndërruar jetë në vendngjarje.
Në të njëjtin incident kishte mbetur i plagosur rëndë edhe një 18-vjeçar, i cili ishte transportuar për trajtim në spital.
Pas ngjarjes, policia kishte publikuar fotografitë e dy personave të kërkuar dhe kishte nisur një operacion të gjerë për gjetjen e tyre, ku ishte angazhuar edhe një helikopter. Autoritetet kishin theksuar se nuk kishte indikacione për një rrezik të drejtpërdrejtë për qytetarët.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, të dyshuarit janë nga Hamm. Me dorëzimin e tyre, policia ka ndërprerë kërkimin publik.
Të dy pritet të dalin të mërkurën, më 23 shtator, para gjyqtarit të paraburgimit, i cili do të vendosë lidhur me masën e mëtejshme.
Ndërkohë, hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e plota të përleshjes, motivin e saj dhe rolin që dy të dyshuarit dyshohet se kanë pasur në ngjarjen ku humbi jetën 15-vjeçari.