9 vjet burg për kosovarin 18 vjeçar, tentoi ta privonte nga jeta mësuesen

Një 18-vjeçar nga Kosova është dënuar me nëntë vjet burgim nga Gjykata e Lartë Rajonale e Dusseldorfit, pasi u shpall fajtor për dy raste të tentativës për vrasje dhe për lëndim të rrezikshëm trupor në një seri sulmesh me thikë në qytetin gjerman të Essenit. Vendimi u shpall të martën, më 22 shtator. Sipas gjykatës,…

Lajme

23/09/2026 11:36

Një 18-vjeçar nga Kosova është dënuar me nëntë vjet burgim nga Gjykata e Lartë Rajonale e Dusseldorfit, pasi u shpall fajtor për dy raste të tentativës për vrasje dhe për lëndim të rrezikshëm trupor në një seri sulmesh me thikë në qytetin gjerman të Essenit.

Vendimi u shpall të martën, më 22 shtator.

Sipas gjykatës, i riu ishte vetëm 17 vjeç në kohën e kryerjes së veprave dhe ishte radikalizuar përmes internetit, duke zhvilluar qëndrime islamiste, shkruajnë mediat gjermane.

Sipas aktakuzës dhe të dhënave të bëra publike gjatë procesit, i riu fillimisht kishte sulmuar një kujdestar shkolle. Më pas, ai kishte shkuar në një shkollë profesionale në Essen, ku kishte sulmuar me thikë mësuesen e tij.

Mësuesja kishte pësuar plagë në kraharor, të cilat i kishin rrezikuar jetën.

Pas këtij sulmi, 18-vjeçari ishte nisur drejt Sinagogës së Vjetër në Essen, me synimin për të sulmuar persona hebrenj. Megjithatë, ai e kishte gjetur objektin të mbyllur.

Më pas, në një stacion autobusi, ai kishte sulmuar me thikë një person të pastrehë, duke e plagosur rëndë.

I riu ishte ndaluar më vonë nga policia në një park, pasi kishte nxjerrë thikën. Gjatë ndërhyrjes, një pjesëtar i policisë e kishte qëlluar me armë zjarri, duke e plagosur rëndë.

Gjatë procesit gjyqësor, 18-vjeçari i kishte pranuar veprat. Sipas deklarimeve të tij, sulmi ndaj mësueses ishte nxitur nga pretendimi i tij se ajo kishte fyer Profetin Muhamed.

Gjykata ka urdhëruar që i riu të vendoset në një institucion për terapi sociale. Sipas raportimeve të mediave gjermane, duke marrë parasysh vlerësimin se ai mund të kryejë në të ardhmen vepra të tjera të rënda penale, nuk përjashtohet mundësia e një ndalimi preventiv edhe pas përfundimit të dënimit.

Vendimi i Gjykatës së Lartë Rajonale të Dusseldorfit ende nuk është i formës së prerë.