Tensionohet situata në OKB – Delegacioni i Izraelit largohet nga salla gjatë fjalimit të Erdoganit, ai i akuzoi për gjenocid në Gaza

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e ka përdorur fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të kritikuar ashpër veprimet e Izraelit në Rripin e Gazës. Duke iu drejtuar liderëve botërorë në Nju-Jork, Erdogan tha se situata humanitare në Gaza nuk mund të injorohet dhe akuzoi Izraelin për veprime që,…

Bota

22/09/2026 19:46

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e ka përdorur fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të kritikuar ashpër veprimet e Izraelit në Rripin e Gazës.

Duke iu drejtuar liderëve botërorë në Nju-Jork, Erdogan tha se situata humanitare në Gaza nuk mund të injorohet dhe akuzoi Izraelin për veprime që, sipas tij, përbëjnë krime ndaj popullsisë palestineze, transmeton lajmi.net.

“Përballë nesh kemi një mentalitet gjenocidal që nuk ngopet së vrari. Askush me ndërgjegje nuk mund t’i mbyllë sytë para kësaj pamjeje”, deklaroi presidenti turk.

Në fjalimin e tij, Erdogan u ndal veçanërisht te gjendja e fëmijëve palestinezë, duke e përshkruar Gazën si vendin me numrin më të madh të fëmijëve të vrarë dhe me një shkallë jashtëzakonisht të lartë të amputimeve tek fëmijët.

Ai e krahasoi gjithashtu situatën në territorin palestinez me një “kamp përqendrimi” të kohëve moderne, duke kërkuar vëmendje më të madhe ndërkombëtare ndaj zhvillimeve në Gaza.

Pas deklaratave të presidentit turk, delegacioni izraelit u largua nga salla e Asamblesë së Përgjithshme.

Erdogan e ka bërë çështjen palestineze një prej temave kryesore të deklarimeve të tij në arenën ndërkombëtare, ndërsa Turqia vazhdimisht ka kërkuar ndaljen e luftimeve dhe rritjen e ndihmës humanitare për popullsinë e Gazës./lajmi.net/