Haradinaj përkujton Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin në 28-vjetorin e rënies

Ish-kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, me rastin e 28-vjetorit të rënies së tyre. Haradinaj ka kujtuar 6 majin e vitit 1997, kur, sipas tij, në ditën e rënies heroike të vëllait të tij, Luanit, në krye të rreshtit ndodheshin edhe Fehmiu dhe Xheva, raporton lajmi.net…

Lajme

22/09/2026 09:56

Ish-kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, me rastin e 28-vjetorit të rënies së tyre.

Haradinaj ka kujtuar 6 majin e vitit 1997, kur, sipas tij, në ditën e rënies heroike të vëllait të tij, Luanit, në krye të rreshtit ndodheshin edhe Fehmiu dhe Xheva, raporton lajmi.net

“Në mes të zjarrit dhe plumbave, vendosmëria e tyre nuk u lëkund për asnjë sekondë. Aty u kalit ajo lidhje lirie e vulosur me gjak, që nuk do të thyhej kurrë”, ka shkruar ndër të tjera Haradinaj.

Postimi i plotë:

Qafa e Mullarit, 6 maj 1997.

Aty ku kufiri i dhunshëm thyhej me armë në dorë, rreshti ynë ra në pritë të rreptë të forcave serbe. Në atë përballje ku ra vëllai im, Luani, dhe u plagos rëndë Rafet Rama, pranë nesh e në krye të rreshtit ishin ata, Fehmiu dhe Xheva. Në mes të zjarrit dhe plumbave, vendosmëria e tyre nuk u lëkund për asnjë sekondë. Aty u kalit ajo lidhje lirie e vulosur me gjak, që nuk do të thyhej kurrë.

Sot, pas 28 vjetësh nga rënia e tyre heroike, kujtesa na kthen pikërisht te ky guxim i orëve të para. Fehmiu e Xheva nuk kalkuluan asgjë, ata vazhduan të palëkundur rrugëtimin e UÇK-së deri në frymën e fundit në Gradinë të Drenicës, duke luftuar krah për krah si një trup i vetëm.

Ky përvjetor na obligon përpara amanetit të tyre dhe të krejt Brigadës 114. Kujtojmë me nderim Fehmiun, Xhevën, si dhe bashkëluftëtarët Fatime Hetemi e Shefqet Zeka.

Lavdi e përjetshme atyre që shkruan historinë me gjak!/Lajmi.net/