Daut Haradinaj: Populli është në sheshe, politika duhet të ulet urgjentisht në tavolinë për Hagën

Daut Haradinaj, nga Aleanca, ka kërkuar një qasje të koordinuar institucionale dhe gjithëkombëtare ndaj zhvillimeve që lidhen me Dhomat e Specializuara në Hagë. Përmes një reagimi, Haradinaj ka thënë se përballja me atë që ai e cilëson “gjykatë politike” kërkon tejkalimin e përplasjeve të përditshme politike dhe bashkërendimin e hapave të mëtejshëm. “Strategjia ndaj kësaj…

Lajme

21/09/2026 19:43

Daut Haradinaj, nga Aleanca, ka kërkuar një qasje të koordinuar institucionale dhe gjithëkombëtare ndaj zhvillimeve që lidhen me Dhomat e Specializuara në Hagë.

Përmes një reagimi, Haradinaj ka thënë se përballja me atë që ai e cilëson “gjykatë politike” kërkon tejkalimin e përplasjeve të përditshme politike dhe bashkërendimin e hapave të mëtejshëm.

“Strategjia ndaj kësaj gjykate politike u kërkon të gjithëve, pashmangshëm, të dalin mbi politikat ditore, të brendshme e banale”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij, në këtë fazë nuk mjafton vetëm një strategji shtetërore, por nevojitet një qasje më e gjerë, e koordinuar me faktorët politikë në vend, Shqipërinë dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Në këtë pikë nuk mjafton vetëm një strategji shtetërore, e cila do të duhej të ishte tashmë e padiskutueshme. Kërkohet një qasje gjithëkombëtare”, ka deklaruar ai.

Haradinaj ka kërkuar që hapat e ardhshëm të bashkërendohen me të gjithë faktorët vendorë dhe aleatët ndërkombëtarë.

“Duhet bashkërendim i hapave të mëtejshëm me secilin faktor vendor dhe me aleatët ndërkombëtarë. Nuk është momenti për të hedhur topin nga njëra palë te tjetra, as për t’ia kaluar përgjegjësinë njëri-tjetrit”, ka shkruar ai.

Deputeti i Aleancës u ka bërë thirrje subjekteve politike që të mblidhen urgjentisht për të diskutuar veprimet e mëtejshme institucionale.

“Populli është në sheshe. Politika duhet të ulet në tavolinë. URGJENTISHT!”, ka theksuar Haradinaj.

Ai ka shtuar se takimet ndërmjet faktorëve politikë duhet të fokusohen në koordinimin e qëndrimeve dhe reagimeve shtetërore, e jo në çështje të pushtetit.

“Dhe jo të ulen skutave për pushtet, por për ide dhe reagime shtetërore, bashkë me Shqipërinë dhe aleatët tanë”, ka përfunduar Haradinaj. /Lajmi.net/