Williams për dënimin ndaj Thaçit: Një tribunal mund të thellojë pakënaqësinë historike nëse vetëm njëra palë vihet nën shqyrtim
Paul Williams, dëshmitari i dytë nga radhët e mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka reaguar lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë dhe dënimet e shqiptuara ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Williams është jurist amerikan, i cili në vitin 1999 ka shërbyer si këshilltar ligjor i delegacionit…
Lajme
Paul Williams, dëshmitari i dytë nga radhët e mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka reaguar lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë dhe dënimet e shqiptuara ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Williams është jurist amerikan, i cili në vitin 1999 ka shërbyer si këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje.
Në një prononcim për Lajmi.net lidhur me aktgjykimin, Paul Williams ka thënë se është “thellësisht i zhgënjyer”, duke theksuar se ka dëshmuar në mbrojtje dhe se dëshmia e tij ndikon në këndvështrimin e tij për rastin.
Ai ka thënë se gjykatat duhet të jenë të kujdesshme që, përmes vendimeve për përgjegjësinë individuale penale, të mos shndërrohen në autorë të historisë kombëtare.
“Gjykatat vendosin për përgjegjësinë penale individuale; ato duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshme që të mos shndërrohen në autorë të historisë kombëtare. Lufta në Kosovë përfshinte represionin sistematik ndaj shqiptarëve të Kosovës, luftën për vetëvendosje dhe pavarësi, krimet e kryera nga forcat serbe, ndërhyrjen e NATO-s dhe krimet e kryera nga individë të lidhur me UÇK-në. Të gjitha këto pohime mund të bashkëjetojnë”, tregoi Williams.
Williams ka theksuar se, pavarësisht se Gjykata e ka cilësuar rastin si çështje të përgjegjësisë individuale, një aktgjykim i tillë në mënyrë të pashmangshme bëhet pjesë e narrativës historike.
“Vetë Trupi Gjykues e ka cilësuar çështjen si një rast që ka të bëjë me përgjegjësinë penale individuale, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar gjithashtu deklaron se prokuroria nuk synon të sfidojë një narrativë më të gjerë historike. Megjithatë, një aktgjykim i kësaj përmase në mënyrë të pashmangshme bëhet pjesë e asaj narrative”, u shpreh ai.
Në përfundim, ai ka vënë theksin te dallimi mes llogaridhënies për krimet dhe vlerësimit të një lëvizjeje të tërë.
“Pikërisht për këtë arsye është e rëndësishme legjitimiteti i Dhomave të Specializuara. Një tribunal i krijuar për të dhënë drejtësi mund të thellojë pa dashje pakënaqësinë historike nëse perceptohet se vendos njërën palë të konfliktit nën një shqyrtim gjyqësor, ndërsa konteksti më i gjerë tërhiqet në plan të dytë”, u shpreh juristi amerikan.
Dhe mesazhin e tij Williams e ka përmbyllur me një qëndrim të qartë mbi mënyrën se si, sipas tij, duhet të funksionojë drejtësia penale ndërkombëtare.
“Drejtësia kërkon llogaridhënie për krimet. Por llogaridhënia duhet ta ndriçojë historinë, jo ta thjeshtojë atë. Dhe e drejta penale ndërkombëtare duhet t’i gjykojë individët për atë që provat dëshmojnë se kanë bërë, dhe jo të lejojë që një teori e përgjegjësisë kolektive të shndërrohet në një verdikt gjyqësor mbi një lëvizje çlirimtare ose mbi luftën e një populli për pavarësi”, tha ai për lajmi.net
Trupi Gjykues dënoi Hashim Thaçin me 25 vjet burgim, Jakup Krasniqin me 25 vjet, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim. Vendimi është i shkallës së parë dhe ndaj tij palët kanë të drejtë ankese./Lajmi.net/