Lushtaku: Dënimi ndaj çlirimtarëve, i ndikuar nga interesa që kanë synuar të dëmtojnë luftën dhe UÇK-në

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, ka reaguar ashpër 24 orë pas vendimit të trupit gjykues, duke e cilësuar atë si një “padrejtësi historike dhe ndërkombëtare” ndaj çlirimtarëve dhe Kosovës. Lushtaku ka kritikuar përbërjen e trupit gjykues, të kryesuar nga Charles L. Smith III, me gjyqtarë Christoph Barthe dhe Guénaël Mettraux, ndërsa Fergal…

Lajme

17/09/2026 10:55

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, ka reaguar ashpër 24 orë pas vendimit të trupit gjykues, duke e cilësuar atë si një “padrejtësi historike dhe ndërkombëtare” ndaj çlirimtarëve dhe Kosovës.

Lushtaku ka kritikuar përbërjen e trupit gjykues, të kryesuar nga Charles L. Smith III, me gjyqtarë Christoph Barthe dhe Guénaël Mettraux, ndërsa Fergal Gaynor ka qenë gjyqtar rezervë.

Në reagimin e tij, Lushtaku ka shkruar se vendimi është “i rëndë politikisht dhe moralisht” dhe se, sipas tij, është ndikuar nga interesa që kanë synuar të dëmtojnë luftën dhe historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Me prova të manipuluara dhe dëshmi të pabazuara, ju dënuat politikisht njerëz që për çdo shqiptar janë ndër figurat më të rëndësishme të çlirimit të Kosovës”, ka shkruar Lushtaku.

Ai ka kundërshtuar veçanërisht formulimin se vendimi është marrë në emër të popullit të Kosovës.

“Dhe padrejtësia më e madhe është se këtë vendim e morët në emër të Popullit të Kosovës! Jo! Asnjëherë në emër të Popullit të Kosovës!”, ka deklaruar ai.

Sipas Lushtakut, qytetarët e Kosovës e njohin historinë e luftës dhe sakrificën e atyre që, sipas tij, luftuan për çlirimin e vendit.

“Historia mund të shkruhet në dokumente gjykatash, por nuk mund të rishkruhet kundër së vërtetës së një populli”, ka shkruar deputeti i PDK-së.

“Jo në emrin tim. Jo në emër të Popullit të Kosovës. Lavdi për Çlirimtarët!”.