“Ish-Presidenti i Kosovës dënohet me 25 vjet burg”, vendimi i Hagës në ballinat e mediave ndërkombëtare

Dënimi i ish-presidentit Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale ka zënë ballinat edhe të mediave ndërkombëtare. Mediat e huaja po raportojnë se Thaçi u dënua për krime lufte. Reuters: Ish-presidenti i Kosovës, Thaçi, dënohet me 25 vjet burgim për krime lufte Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpall fajtor për krime lufte nga Tribunali për Krimet…

Lajme

16/09/2026 12:03

Dënimi i ish-presidentit Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale ka zënë ballinat edhe të mediave ndërkombëtare.

Mediat e huaja po raportojnë se Thaçi u dënua për krime lufte.

Reuters:

Ish-presidenti i Kosovës, Thaçi, dënohet me 25 vjet burgim për krime lufte

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpall fajtor për krime lufte nga Tribunali për Krimet e Luftës në Kosovë të mërkurën. Thaçi, 58 vjeç, u dënua me 25 vjet burgim për krime, përfshirë vrasje, torturë dhe ndalim të paligjshëm, të kryera në cilësinë e komandantit të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë shkëputjes së dhunshme të Kosovës nga Serbia në vitet 1990.

The Guardian:

Ish-presidenti i Kosovës, Thaçi, dënohet me 25 vjet burgim

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe më vonë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vjet burgim, pasi Gjykata Ndërkombëtare në Hagë e ka shpallë penalisht përgjegjës për krime lufte të kryera gjatë shkëputjes së dhunshme të Kosovës nga Serbia në vitet 1990.

Thaçi i kishte mohuar të gjitha akuzat.

Më poshtë është sfondi i kësaj ngjarjeje:

“Teksa prokurorët paraqitën rastin e tyre kundër Thaçit dhe bashkë të pandehurve Rexhep Selimit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit – të gjithë figura të larta të udhëheqjes së UÇK-së gjatë luftës kundër forcave serbe nga viti 1998 deri më 1999 – ata përshkruan një fushatë të pretenduar vrasjesh, torture dhe represioni ndaj kundërshtarëve dhe pjesëtarëve të pakicave etnike, të drejtuar nga katër burrat. …

Procedurat, thellësisht jopopullore në Kosovë dhe në Shqipërinë fqinje, rikthejnë në kujtesë periudhën e konfliktit brutal të viteve 1998–1999, gjatë të cilit si organizatat e armatosura serbe, ashtu edhe ato kosovare kryen krime lufte në kuadër të kryengritjes së armatosur të UÇK-së dhe përgjigjes ushtarake të Beogradit.”

Associated Press:

Gjykata në Hagë shpall fajtor ish-presidentin e Kosovës, Thaçi, për krime lufte dhe e dënon me 25 vjet burgim

Një gjykatë e mbështetur nga Bashkimi Evropian e shpalli të mërkurën ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, fajtor për katër akuza për krime lufte të kryera gjatë luftës së Kosovës për pavarësi nga Serbia dhe e dënoi me 25 vjet burgim.

Thaçi, 58 vjeç, i cili dha dorëheqjen nga detyra gati gjashtë vjet më parë për t’u përballur me akuzat, u shpall fajtor nga një trup gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës për vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar.

I veshur me kostum dhe kravatë, Thaçi qëndroi në heshtje teksa kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, lexoi dënimin.

Thaçi u përball me akuza të shumta për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasje, torturë dhe përndjekje, së bashku me tre ish-udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët luftuan kundër forcave serbe në luftën e viteve 1998–1999. Ata konsiderohen gjerësisht si heronj kombëtarë në vendlindjen e tyre.