Charles Smith: Trupi gjykues nuk u bind se personat e shënjestruar nga UÇK-ja ishin popullatë civile

Kryegjykatësi Charles Smith, gjatë leximit të aktgjykimit, deklaroi se trupi gjykues nuk është bindur se personat e shënjestruar nga UÇK-ja, sipas aktakuzës, mund të cilësohen si popullatë civile në kuadër të akuzave për krime kundër njerëzimit. “Rrjedhimisht, trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk arriti të provonte se janë kryer krime kundër njerëzimit, si përndjekja, burgosja,…

Lajme

16/09/2026 10:43

Kryegjykatësi Charles Smith, gjatë leximit të aktgjykimit, deklaroi se trupi gjykues nuk është bindur se personat e shënjestruar nga UÇK-ja, sipas aktakuzës, mund të cilësohen si popullatë civile në kuadër të akuzave për krime kundër njerëzimit.

“Rrjedhimisht, trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk arriti të provonte se janë kryer krime kundër njerëzimit, si përndjekja, burgosja, veprime të tjera çnjerëzore, tortura dhe zhdukja me forcë”, tha Smith.

Ai theksoi se trupi gjykues ka konstatuar se, të paktën nga fundi i marsit 1998 deri më 20 qershor 1999, ose rreth këtyre datave, ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe të RFJ-së është zhvilluar një konflikt i armatosur jondërkombëtar.

Sipas Smithit, ky konflikt është zhvilluar në Kosovë, ndërsa e drejta humanitare ndërkombëtare në lidhje me atë konflikt ka qenë në fuqi edhe në disa vendndodhje të kontrolluara nga UÇK-ja në veri të Shqipërisë.

“Trupi gjykues gjithashtu konstatoi se krimet për të cilat janë ngritur aktakuzat u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar dhe kishin lidhje me të”, deklaroi kryegjykatësi.

Smith tha se trupi gjykues ka konstatuar gjithashtu se viktimat ishin persona që gëzonin mbrojtje ligjore sipas standardeve në fuqi të së drejtës humanitare ndërkombëtare, pasi nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

“Trupi gjykues gjithashtu është bindur se të katër të akuzuarit ishin në dijeni të rrethanave që vërtetojnë ekzistencën e konfliktit të armatosur jondërkombëtar, lidhjen me të dhe statusin e mbrojtjes së viktimave”, tha Smith. /Lajmi.net/