Ndërpritet paraburgimi ndaj dy të dyshuarve për tentim tjetërsimin e 21 pronave me dokumente të falsifikuara
Gjykata Themelore në Mitrovicë ka ndërprerë masën e paraburgimit ndaj N.A. dhe B.B., të dyshuar për tentim të tjetërsimit të 21 pronave të paluajtshme përmes dokumentacionit të falsifikuar. Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur për KosovaPress se masa është ndërprerë pasi janë siguruar provat për të cilat ishte kërkuar paraburgimi dhe është vlerësuar…
Lajme
Gjykata Themelore në Mitrovicë ka ndërprerë masën e paraburgimit ndaj N.A. dhe B.B., të dyshuar për tentim të tjetërsimit të 21 pronave të paluajtshme përmes dokumentacionit të falsifikuar.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur për KosovaPress se masa është ndërprerë pasi janë siguruar provat për të cilat ishte kërkuar paraburgimi dhe është vlerësuar se nuk ekzistojnë më kushtet për vazhdimin e kësaj mase.
“Kjo ka ndodhur sepse janë siguruar provat për të cilat është kërkuar caktimi i kësaj mase dhe se është vlerësuar se nuk ekzistojnë kushtet për vazhdimin e saj”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë, Valon Preteni.
Kërkesa e Prokurorisë është aprovuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.
“Në këtë lëndë penale, me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, është ndërprerë masa e paraburgimit ndaj të pandehurve”, ka deklaruar zëdhënësja e Gjykatës, Hateme Haxhaj.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kishin tentuar të siguronin përpilimin dhe vërtetimin e një autorizimi noterial për disponimin dhe shitblerjen e 21 pronave të regjistruara në emër të një personi tjetër, pa dijeninë dhe pëlqimin e pronarit legjitim.
Gjatë hetimeve paraprake dyshohej se, për këtë qëllim, ishte përdorur një dokument identifikues i falsifikuar, i cili përmbante të dhënat personale të pronarit të pronave, por fotografinë e një personi tjetër.
Sipas Prokurorisë, njëri nga të dyshuarit dyshohet se ishte përgatitur të paraqitej para noterit me identitet të rremë dhe të nënshkruante autorizimin përkatës.
Megjithatë, tentativa ishte parandaluar para përfundimit të aktit noterial, pasi gjatë verifikimit të dokumentacionit ishin evidentuar mospërputhje në të dhënat identifikuese, duke ngritur dyshime për autenticitetin e dokumenteve.
Në kuadër të hetimeve për këtë rast ishin arrestuar dhe intervistuar tre persona.
Policia kishte njoftuar gjithashtu për sekuestrimin e dokumenteve, pajisjeve elektronike, një automjeti dhe sendeve të tjera, për të cilat dyshohet se mund të shërbejnë si prova në procedurën penale.
Rasti, sipas Policisë, kishte ndodhur më 15 korrik 2026, rreth orës 11:15, në rrugën “Çlirimi” në Mitrovicë.