​“Mos ejani vetëm” – “Liria ka Emër” fton qytetarët në “Marshin për Liri”

Mos ejani vetëm, ejani me familjet tuaja” – kjo ishte thirrja që platforma qytetare “Liria ka Emër” ua drejtoi qytetarëve në konferencën e fundit para “Marshit për Liri”, që do të mbahet nesër në Prishtinë. Marshi do të nisë më 12 shtator, në orën 14:00, nga Sheshi “Skënderbeu”, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur edhe…

Lajme

11/09/2026 17:11

Mos ejani vetëm, ejani me familjet tuaja” – kjo ishte thirrja që platforma qytetare “Liria ka Emër” ua drejtoi qytetarëve në konferencën e fundit para “Marshit për Liri”, që do të mbahet nesër në Prishtinë.

Marshi do të nisë më 12 shtator, në orën 14:00, nga Sheshi “Skënderbeu”, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur edhe programin dhe emrat e folësve që do t’u drejtohen pjesëmarrësve.

“Në emër të platformës ‘Liria ka Emër’ do të flasim ne të dy së bashku, do ta hapim, në fakt, pjesën formale të marshit. Në emër të shoqatave të dala nga lufta do të flasë Hysni Gucati. Do të flasë Liriona Sulejmani në emër të fëmijëve të dëshmorëve, si vajza e dëshmorit Bajram Sulejmani, duke sjellë zërin dhe mesazhin e një brezi që trashëgon kujtesën dhe sakrificën e luftës edhe në familje”, tha Eliza Hoxha nga kjo platformë.

Qytetarëve do t’u drejtohen gjithashtu Ardian Gjini dhe Bedri Hamza, si dhe Buna Mustafa, e bija e Salih Mustafës-Calit.

Programi do të shoqërohet edhe me këngë, të cilat do të jenë pjesë e mesazhit të këtij tubimi, këngë patriotike, natyrisht, që na kanë frymëzuar dhe na kanë kujtuar gjithmonë për përkushtimin tonë për liri”, tha Hoxha.Ajo bëri të ditur se për qytetarët që do të vijnë nga vende të ndryshme është organizuar edhe transport me autobusë.

“Ejani me familjet tuaja, ejani me fëmijët tuaj, ejani me prindërit tuaj, me miqtë tuaj, ejani të gjithë bashkë në marsh më 12 shtator, në orën 14:00, në Sheshin ‘Skënderbeu’, të marshojmë për çlirimtarët tanë”, tha Hoxha.

Ndërkaq, ideatori i platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli u bëri thirrje qytetarëve që marshi të jetë paqësor, familjar dhe dinjitoz.

“Prandaj, sot dua t’ju drejtoj një ftesë të gjithë qytetarëve. Bashkohuni me ne më 12 shtator, në orën 14:00, në Sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë. Mos ejani vetëm, ejani me familjet tuaja, merrni fëmijët, prindërit, vëllezërit, motrat dhe miqtë tuaj, ashtu siç erdhi edhe Eliza. Le të jetë ky marsh një marsh qytetar, familjar, paqësor dhe dinjitoz. Le të jemi sa më shumë, le të jemi bashkë. Më 12 shtator, ora 14:00, Sheshi ‘Skënderbeu’. Dhe më 15 shtator, nga ora 22:00, takohemi përsëri në Hagë, në natën e pritjes, për të qëndruar së bashku deri në nisjen e seancës së gjyqit”, tha ai.

Tasholli ftoi qytetarët që t’i bashkohen marshit, duke theksuar se mesazhi i organizatorëve nga Prishtina deri në Hagë mbetet i njëjtë: të qëndrojnë të bashkuar dhe pranë njëri-tjetrit në momente që, sipas tij, kanë rëndësi të veçantë.

Ndërkaq, dje ka përfunduar edhe aktiviteti “7 Zjarret në 7 Zonat Operative të UÇK-së”, i organizuar nga platforma “Liria ka Emër”.

Aktiviteti u përmbyll në Kodrën e Dëshmorëve në Gjilan, në prag të “Marshit për Liri”, që mbahet të shtunën në Prishtinë.