“Kilaj mori materiale konfidenciale për dëshmitarët” – Prokuroria: Thaçi u shqetësua se dëshmitari nr. 4 mund ta implikonte

Prokurori i Specializuar ka vazhduar argumentimin lidhur me rastin e Isni Kilajt, duke pretenduar se ai kishte marrë të paktën pesë përmbledhje konfidenciale të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe i kishte përpunuar ato në laptopin e tij. Sipas Prokurorisë, Kilaj i kishte futur këto materiale në një program përkthimi në laptop, duke i përkthyer…

Lajme

10/09/2026 12:56

Prokurori i Specializuar ka vazhduar argumentimin lidhur me rastin e Isni Kilajt, duke pretenduar se ai kishte marrë të paktën pesë përmbledhje konfidenciale të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe i kishte përpunuar ato në laptopin e tij.

Sipas Prokurorisë, Kilaj i kishte futur këto materiale në një program përkthimi në laptop, duke i përkthyer nga anglishtja në shqip. Prokurori ka thënë se të dhënat e rikuperuara nga laptopi i sekuestruar tregojnë se ai e kishte bërë këtë, raporton lajmi.net.

Sipas tij, Kilaj e dinte se informacioni që po kopjonte në program ishte konfidencial dhe kishte të bënte me dëshmitarë të ZPS-së. Prokurori ka theksuar se tekstet e kopjuara përmbanin shënimin e ZPS-së dhe se dokumentet ishin të shënuara si konfidenciale.

Por, sipas Prokurorisë, Kilaj nuk i kishte ruajtur këto informacione vetëm në laptop. Ai dyshohet se kishte kopjuar me dorë pjesë nga secila prej përmbledhjeve konfidenciale dhe i kishte hedhur në dy blloqe shënimesh që i mbante në shtëpinë e tij.

“Ne e dimë se Kilaj ka marrë të paktën pesë përmbledhje konfidenciale nga këto materiale konfidenciale të ZPS-së dhe i ka futur në një program përkthimi në laptopin e vet”, ka thënë prokurori.

Ai ka argumentuar se nuk kishte arsye legjitime që Kilaj të kishte në posedim këto informacione konfidenciale për dëshmitarët e ZPS-së.

Sipas Prokurorisë, secila prej përmbledhjeve përmbante informacione lidhur me keqtrajtimin e njërit prej dëshmitarëve që pritej të dëshmonte në çështjen 6.

Prokurori është ndalur veçanërisht te dëshmitari nr. 4, duke thënë se dëshmia e tij pritej të përfshinte pyetje lidhur me përfshirjen e Hashim Thaçit në keqtrajtimin e tij nga pjesëtarë të UÇK-së.

Sipas argumentimit të Prokurorisë, pikërisht për shkak të shqetësimit se dëshmitari nr. 4 mund ta implikonte Thaçin në atë që kishte ndodhur, ky dëshmitar ishte shënjestruar për ndërhyrje.

Prokurori ka pretenduar se ndërhyrja ndaj dëshmitarit nr. 4 ishte tentuar përmes Isni Kilajt dhe Vllaznim Kryeziut.

Sipas Prokurorisë, kjo tregon se informacioni konfidencial për dëshmitarët nuk ishte thjesht material i marrë në mënyrë të parregullt, por lidhej me një përpjekje të pretenduar për të ndërhyrë te dëshmitarët dhe për të parandaluar që dëshmia e tyre të mund ta lidhte Thaçin me keqtrajtimin e pretenduar.

Këto janë pretendime të Prokurorisë të paraqitura gjatë deklaratave përfundimtare dhe nuk përbëjnë konstatim përfundimtar të trupit gjykues. /Lajmi.net/