Prebreza liron nga detyra drejtorin që u arrestua nën dyshimin për tjetërsim të pronës
Kryetari i Fushë Kosovës, Valon Prebreza e ka liruar nga detyra drejtorin e Pronës, Gëzim Zogiani. Këtë vendim e ka marrë deri në sqarimin e çështjes nga organet e drejtësisë. Ai dhe katër zyrtarë të tjerë akuzohen për tjetërsim të një prone 1.5 milionëshe në Fushë Kosovë. “Të martën, në një aksion të organeve të…
Lajme
Kryetari i Fushë Kosovës, Valon Prebreza e ka liruar nga detyra drejtorin e Pronës, Gëzim Zogiani.
Këtë vendim e ka marrë deri në sqarimin e çështjes nga organet e drejtësisë.
Ai dhe katër zyrtarë të tjerë akuzohen për tjetërsim të një prone 1.5 milionëshe në Fushë Kosovë.
“Të martën, në një aksion të organeve të drejtësisë, janë arrestuar pesë zyrtarë të Komunës së Fushë Kosovës, në mesin e tyre edhe Drejtori i Pronës, z. Gëzim Zogiani. Meqenëse që nga dita e martë ndodhem në udhëtim zyrtar, dua t’ju njoftoj se menjëherë pas kthimit tim do ta liroj nga detyra Drejtorin e Pronës, deri në sqarimin e plotë të kësaj çështjeje nga organet e drejtësisë. Qytetarëve të Fushë Kosovës ua kam dhënë fjalën për një qeverisje ndryshe dhe asnjë emër, pozitë apo interes nuk do të jetë më i rëndësishëm se kjo fjalë. Nën qeverisjen time nuk do të ketë mbrojtje politike për askënd. Transparenca, llogaridhënia dhe sundimi i ligjit nuk janë slogane elektorale, por standard mbi të cilin do të funksionojë Komuna e Fushë Kosovës. Natyrisht, nuk do ta paragjykojmë përgjegjësinë e askujt. Atë e përcaktojnë vetëm organet e drejtësisë. Nga informacionet që posedoj deri më tani, hetimet lidhur me çështjen dhe pronën në fjalë kanë filluar më herët dhe për të njëjtën çështje ka pasur të arrestuar edhe gjatë vitit 2025”, ka shkruar Valon Prebreza.
Ai ndër të tjera thotë se Komuna do të jetë e hapur për Prokurorinë.
“Koha kur politika mbyllte sytë përballë dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare ka përfunduar. Komuna e Fushë Kosovës do t’i hapë dyert për Prokurorinë dhe çdo organ tjetër të drejtësisë dhe do të ofrojë bashkëpunim të plotë për çdo hetim. Kushdo që ka shkelur ligjin, kushdo që ka keqpërdorur pozitën apo besimin e qytetarëve, duhet të mbajë përgjegjësi — pa dallim emri, pozite apo përkatësie. Ne kemi marrë besimin e qytetarëve për ta ndryshuar mënyrën se si qeveriset Fushë Kosova. Dhe këtë besim nuk do ta negociojmë me askënd” shkruan Prebreza në reagim.