“Nuk ishte bisedë për të kaluarën” – Prokuroria për takimin Thaçi-Fazliu dhe dëshmitarin Mustafa

Prokurori i Specializuar ka argumentuar se gjatë një prej vizitave në paraburgim, Hashim Thaçi dhe Fazli Fazliu nuk po diskutonin thjesht për ngjarje të së kaluarës, por për dëshmitarin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Remi Mustafa, dhe dëshminë e tij të ardhshme në Hagë. Sipas prokurorit, fakti që Fazliu në mënyrë të përsëritur përshkruante…

Lajme

10/09/2026 11:14

Prokurori i Specializuar ka argumentuar se gjatë një prej vizitave në paraburgim, Hashim Thaçi dhe Fazli Fazliu nuk po diskutonin thjesht për ngjarje të së kaluarës, por për dëshmitarin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Remi Mustafa, dhe dëshminë e tij të ardhshme në Hagë.

Sipas prokurorit, fakti që Fazliu në mënyrë të përsëritur përshkruante gjëra që kishin ndodhur jashtë qendrës së paraburgimit tregon se biseda nuk mund të shihej vetëm si një komunikim mes dy miqve të vjetër, raporton lajmi.net.

“Dhe nuk mund të ketë pyetje të cilat lidhen me faktin që po flet Thaçi me Fazliun gjatë gjithë kësaj vizite. Kjo pra është fakt që Fazliu në mënyrë të përsëritur përshkruan gjërat që kanë ndodhur jashtë qendrës së paraburgimit”, ka thënë prokurori.

Ai ka pretenduar se nuk kishte pikë dyshimi se Thaçi dhe Fazliu po flisnin për dëshmitarin Remi Mustafa dhe se biseda lidhej me kohën kur Mustafa do të udhëtonte drejt Hagës për të dëshmuar në çështjen gjyqësore të njohur si pika gjashtë.

Prokurori ka thënë se Fazliu ia kishte konfirmuar Thaçit informacione të cilat, sipas tij, përputheshin edhe me mesazhet e gjetura në telefonin e Fazliut. Sipas tij, nga këto mesazhe ishte evidentuar se Fazliu ishte takuar më herët me Mustafën, përpara se të takohej me Thaçin.

Në këtë kontekst, prokurori ka theksuar rëndësinë që Thaçi i kushtonte dëshmisë së Mustafës.

“Ju e shikoni se Thaçi e thekson se sa i rëndësishëm dhe sa vendimtar është dëshmia e Mustafës në çështjen e tij”, ka argumentuar ai.

Sipas Prokurorisë, Fazliu më pas i kishte raportuar Thaçit fjalët e Mustafës lidhur me të.

“Cilido të jetë mesazhi, Mustafa do ta kryejë këtë punë, s’ka problem fare”, është shprehur Fazliu, sipas përmbajtjes së bisedës të paraqitur nga Prokuroria.

Prokurori ka argumentuar se kjo bisedë nuk ngjasonte me një komunikim mes dy miqve të vjetër që thjesht rikujtonin ngjarje të kaluara.

“Kjo nuk duket një bisedë mes dy miqsh të vjetër që flasin për ngjarje të vjetra e kohë të vjetra”, ka thënë ai, duke shtuar se Thaçi dhe Fazliu po flisnin për atë që do të ndodhte në të ardhmen dhe për mënyrën se si, sipas pretendimit të Prokurorisë, do t’i jepej trajtim çështjes në favor të Thaçit.

“Thaçi dhe Fazliu po flasin rreth të ardhmes, po flasin se si t’i japin trajtë kësaj çështjeje në favor të Thaçit”, ka argumentuar prokurori.

Këto janë argumente të Prokurorisë të paraqitura gjatë deklaratave përfundimtare, ndërsa vlerësimi përfundimtar i provave dhe përgjegjësisë penale i takon trupit gjykues. /Lajmi.net/