Rritja e taksave gjyqësore mund të pengojë qytetarët, Avokati i Popullit kërkon ndërhyrje nga KGJK-ja
Avokati i Popullit ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) që ta rishqyrtojë sistemin e taksave gjyqësore, duke vlerësuar se rritja e tyre mund të krijojë barriera financiare dhe të cenojë qasjen efektive të qytetarëve në drejtësi. Në një opinion të publikuar të enjten, Avokati i Popullit ka shqyrtuar ndikimin e Udhëzimit Administrativ Nr.…
Lajme
Avokati i Popullit ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) që ta rishqyrtojë sistemin e taksave gjyqësore, duke vlerësuar se rritja e tyre mund të krijojë barriera financiare dhe të cenojë qasjen efektive të qytetarëve në drejtësi.
Në një opinion të publikuar të enjten, Avokati i Popullit ka shqyrtuar ndikimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2025 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore në realizimin e së drejtës për qasje në drejtësi.
Sipas opinionit, ndonëse KGJK-ja ka kompetencë për miratimin e skemës unike të taksave gjyqësore, kjo kompetencë duhet të ushtrohet në përputhje me garancitë kushtetuese për qasje efektive në drejtësi dhe parimin e proporcionalitetit.
“Taksat gjyqësore të përcaktuara me UA nr.03/2025 derdhen në buxhetin e Republikës së Kosovës dhe jo drejtpërdrejt në buxhetin e sistemit gjyqësor, gjë që dobëson lidhjen ndërmjet rritjes së taksave dhe përmirësimit të funksionimit të gjyqësorit. Për këtë arsye, nevoja dhe proporcionaliteti i rritjes së taksave duhet të arsyetohen në mënyrë të veçantë dhe të bazohen në vlerësime konkrete të ndikimit të tyre në qasjen efektive në drejtësi”, ka vlerësuar Avokati i Popullit.
Në opinion thuhet se rritja e konsiderueshme e taksave, pagesat shtesë për ushtrimin e mjeteve juridike dhe pasojat e mospagesës së tyre mund të krijojnë pengesa disproporcionale, veçanërisht për qytetarët që nuk përfitojnë nga mekanizmat e përjashtimit apo nga ndihma juridike falas.
Duke iu referuar standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Avokati i Popullit ka vlerësuar se ekziston rrezik real që dispozitat e Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2025, në formën aktuale, të kenë efekte disproporcionale në raport me të drejtën për qasje në drejtësi.
Për këtë arsye, ai ka kërkuar nga KGJK-ja që ta rishqyrtojë sistemin e taksave gjyqësore, në mënyrë që të sigurohet një balancë ndërmjet funksionimit efikas të sistemit gjyqësor dhe garantimit të qasjes së barabartë e efektive në drejtësi për të gjithë qytetarët.
Në fillim të këtij viti, KGJK-ja kishte njoftuar për udhëzimin e ri administrativ që rrit taksat gjyqësore. Ky vendim ishte kritikuar nga përfaqësues të sistemit të drejtësisë, të cilët kishin paralajmëruar se rritja e taksave mund të ndikojë në inicimin e lëndëve në gjykata.
Sipas tarifave të reja, taksa për padi me vlerë kontesti nga 0 deri në 5 mijë euro është 60 euro, ndërsa më parë për konteste nga 0 deri në 1 mijë euro ishte 20 euro.
Për kontestet me vlerë nga 50 mijë e një deri në 100 mijë euro, taksa është rritur nga 150 në 300 euro. Ndërkohë, taksa për padi për pengim posedimi është dyfishuar, nga 50 në 100 euro, ndërsa për propozim për sigurimin e provës është rritur nga 30 në 100 euro.
Rritje të taksave ka pasur edhe në Gjykatën Komerciale. Për padi me vlerë kontesti deri në 25 mijë euro, taksa e re është 200 euro, ndërsa për kontestet nga 50 mijë e një deri në 100 mijë euro, taksa është rritur në 500 euro. /Lajmi.net/