Kryeministri norvegjez: Avioni i Zelenskyt “pothuajse u godit” nga një dron gjatë rrugës për në Oslo
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky po udhëtonte nga Moldavia drejt Oslos për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të mbretit të Norvegjisë, Harald V. Avioni që transportonte presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky nga Moldavia në Oslo për pak sa nuk u godit nga një dron, ka deklaruar të mërkurën kryeministri norvegjez Jonas Gahr Store, shkruan Euronews. “Fluturimi…
Bota
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky po udhëtonte nga Moldavia drejt Oslos për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të mbretit të Norvegjisë, Harald V.
Avioni që transportonte presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky nga Moldavia në Oslo për pak sa nuk u godit nga një dron, ka deklaruar të mërkurën kryeministri norvegjez Jonas Gahr Store, shkruan Euronews.
“Fluturimi i tij pothuajse u godit nga një dron teksa po ngrihej nga Moldavia. Kjo është realiteti në të cilin ai jeton”, tha Store për transmetuesin publik norvegjez NRK.
Kryeministri norvegjez nuk dha detaje të tjera rreth incidentit.
“Pyeta se si kishte kaluar nata dhe ai tha se nuk kishte qenë një natë e mirë, sepse kishte qenë në telefon duke marrë përditësime se ku kishin goditur raketat”, tha Store për NRK.
“Është një situatë shumë dramatike. Të lë mbresa të forta”, shtoi ai.
Zelensky mbërriti në Oslo të martën në mbrëmje, përpara ceremonisë mortore të mbretit norvegjez Harald V. Ai zhvilloi takime me Store, ministrin e Financave Jens Stoltenberg dhe ministrin e Jashtëm Espen Barth Eide, ku diskutuan për ndihmën ushtarake norvegjeze për Ukrainën, përfshirë mbështetjen për mbrojtjen ajrore, si dhe ndihmën civile.
Pas ceremonisë mortore, Zelensky u largua nga Norvegjia dhe udhëtoi drejt Kanadasë për bisedime me liderët atje, tha Store për NRK.
Store nuk dha detaje të tjera rreth rezultateve të këtyre bisedimeve.
“Ende nuk kemi arritur aty. Industria po punon së bashku për të parë nëse është e mundur të sigurohen sisteme të mbrojtjes ajrore për Ukrainën, por gjithashtu për të gjetur një zgjidhje industriale që do t’u mundësonte atyre t’i prodhojnë vetë sistemet e mbrojtjes ajrore. Thënë thjesht, ata kanë vrima në çati”, deklaroi kryeministri norvegjez.