Pse nuk vazhdoi për një muaj seanca konstituive ?
Seanca konstituive e Kuvendit nuk vazhdoi për një muaj të plotë prej ndërprerjes së fundit më 8 gusht. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kishte pranuar kërkesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që t’u jepet kohë shtesë për të arritur një marrëveshje politike për presidentin para se të vazhdohet me konstituim të Kuvendit. Kurti atëherë…
Lajme
Seanca konstituive e Kuvendit nuk vazhdoi për një muaj të plotë prej ndërprerjes së fundit më 8 gusht.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kishte pranuar kërkesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që t’u jepet kohë shtesë për të arritur një marrëveshje politike për presidentin para se të vazhdohet me konstituim të Kuvendit.
Kurti atëherë kishte deklaruar se “konstituimi kësaj radhe nuk bën të jetë drejt një shpërndarjeje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhjeve të parakohshme, të paarsyeshme e të panevojshme”.
Andaj, nuk kishte propozuar një kandidat për kryeparlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje [LVV].
Rregullorja e Kuvendit parasheh që “ ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë.”
Dy partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës [PDK] dhe Aleanca kanë bërë thirrje vazhdimisht gjatë muajit gusht që seanca konstituive të vazhdohej duke shkuar çdo 48 orë në sallën e Kuvendit.
Marrëveshja politike për presidentin, e cila ishte parakusht për Kurtin që të vazhdohej me seancën konstituive, u arrit më 31 gusht midis LVV-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Megjithëse votat për Bekim Sejdiun, kandidatin për të cilin u pajtuan të dy partitë, nuk janë tashmë të sigurta, mbetet e paqartë nëse veç dakordimi për emrin e tij do të mjaftojë që deputetët ta mbyllin të mërkurën konstituimin apo do të kërkohet sërish kohë shtesë.