SHBA-ja sanksionon të gjitha linjat ajrore të Iranit
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj të gjitha linjave të mbetura ajrore në Iran, duke e rritur ndjeshëm trysninë ndaj sektorit të aviacionit të Teheranit, si pjesë e një fushate më të gjerë që synon shkëputjen e Republikës Islamike nga tregtia dhe financat ndërkombëtare. Departamenti amerikan i Thesarit i sanksionoi të martën 36 subjekte…
Bota
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj të gjitha linjave të mbetura ajrore në Iran, duke e rritur ndjeshëm trysninë ndaj sektorit të aviacionit të Teheranit, si pjesë e një fushate më të gjerë që synon shkëputjen e Republikës Islamike nga tregtia dhe financat ndërkombëtare.
Departamenti amerikan i Thesarit i sanksionoi të martën 36 subjekte dhe individë, përfshirë 27 linja ajrore iraniane, kompani të huaja dhe një individ, të cilët akuzohen se kanë ndihmuar rrjetet e sanksionuara të aviacionit të Iranit për të siguruar avionë, pjesë këmbimi për avionë dhe teknologji të tjera, shkruan euronew..
Kjo është hera e parë që Uashingtoni e përdor një përcaktim të ri, i nxjerrë më 24 gusht, për të sanksionuar linjat ajrore që kishin mbetur në vend. Thesari tha se ky sektor përdoret nga qeveria iraniane për të transportuar armë, personel dhe ngarkesa të paligjshme.
“Le të jetë ky një paralajmërim për këdo që bën biznes me linjat ajrore e mbetura iraniane, të gjitha të cilat i sanksionuam sot: Ju rrezikoni të shkëputeni nga sistemi financiar global”, tha sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent.
“Ne nuk do të zmbrapsemi në fushatën tonë për të mbyllur burimet financiare të regjimit iranian, përfshirë sektorin e aviacionit”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Tommy Pigott, në një deklaratë.
Sanksionet janë vendosur në kuadër të të ashtuquajturit Operacioni “I Dëbuari Ekonomikisht” i presidentit Donald Trump, i shpallur nga Bessent më 24 gusht, si pjesë e një fushate për t’i ndërprerë ato që Uashingtoni e përshkruan si burimet e mbetura ekonomike të regjimit iranian.