Witkoff dhe Kushner drejt Rusisë e Ukrainës, Trump: Kanë me vete një propozim për paqe

Përpjekjet diplomatike të administratës së presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë pritet të intensifikohen gjatë këtij vikendi. Dy negociatorët amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, do të udhëtojnë në Rusi dhe Ukrainë, ku do të zhvillojnë takime në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje që do t’i japë…

Lajme

05/09/2026 08:39

Përpjekjet diplomatike të administratës së presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë pritet të intensifikohen gjatë këtij vikendi.

Dy negociatorët amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, do të udhëtojnë në Rusi dhe Ukrainë, ku do të zhvillojnë takime në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje që do t’i japë fund konfliktit, transmeton lajmi.net.

Sipas raportimeve, Witkoff dhe Kushner pritet të jenë në Moskë të shtunën, ku do të zhvillojnë bisedime me presidentin rus Vladimir Putin. Të dielën, ata pritet të takohen me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Trump ka konfirmuar se dy të dërguarit e tij do të udhëtojnë në rajon dhe ka bërë të ditur se qëllimi i vizitës është prezantimi i një propozimi për përfundimin e luftës.

“Ata po sjellin me vete një propozim për t’i dhënë fund luftës”, deklaroi Trump para gazetarëve.

Megjithatë, pavarësisht këtyre përpjekjeve, dallimet mes Moskës dhe Kievit mbeten të mëdha dhe një marrëveshje paqeje ende nuk është arritur.

Zelensky ka bërë të ditur se do të takohet me përfaqësuesit amerikanë pas vizitës së tyre në Moskë. Ai gjithashtu ka deklaruar se Ukraina do të garantojë sigurinë e hapësirës ajrore ruse gjatë kohës së vizitës, duke kërkuar që Rusia të ndërmarrë një masë të ngjashme për territorin ukrainas.

Vizita e ardhshme në Ukrainë do të jetë veçanërisht e rëndësishme, pasi Witkoff dhe Kushner kanë udhëtuar disa herë në Rusi, ndërsa kjo pritet të jetë vizita e tyre e parë në Ukrainë në kuadër të këtyre negociatave.

Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka qenë i rezervuar lidhur me takimet e pritshme.

“Nuk do të njoftoja asgjë, por kur të zhvillohen këto kontakte, do t’ju informojmë”, tha Peskov.

Edhe presidenti rus Vladimir Putin ka lënë të hapur mundësinë për një marrëveshje paqeje. Ai deklaroi se ekziston mundësia për arritjen e një marrëveshjeje, por theksoi se fillimisht Moska dhe Kievi duhet të gjejnë një dakordim mes tyre.

“Para së gjithash, Moska dhe Kievi duhet të bien dakord mes tyre”, tha Putin.

Vizita e Witkoff dhe Kushner vjen në një kohë kur luftimet vazhdojnë në Ukrainë. Së fundmi, presidenti Zelensky ka raportuar edhe për një sulm me dron ndaj zyrës së kreut të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës në Kiev, ndërsa autoritetet ukrainase kanë njoftuar për viktima dhe të plagosur nga një tjetër sulm rus në qytetin Kamianske./lajmi.net/