Kërkohet paraburgim për dy persona në Ferizaj, dyshohet se poseduan rreth 5.5 kilogramë drogë dhe armë
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave, të dyshuar për posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, si dhe për armëmbajtje pa leje. Sipas Prokurorisë, të dyshuarit janë F.D., shtetas i Shqipërisë, dhe E.D., shtetas i Kosovës. Ata dyshohet se janë përfshirë në veprimtari të…
Lajme
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave, të dyshuar për posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, si dhe për armëmbajtje pa leje.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit janë F.D., shtetas i Shqipërisë, dhe E.D., shtetas i Kosovës. Ata dyshohet se janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme me substanca narkotike , transmeton lajmi.net.
Gjatë një operacioni të zhvilluar më 2 shtator nga Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Ferizaj, është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit F.D.
Gjatë kontrollit, sipas Prokurorisë, janë gjetur dhe konfiskuar:
- rreth 4.9 kilogramë marihuanë;
- 4.6 gramë kokainë;
- peshore digjitale dhe materiale për paketimin e narkotikëve;
- një pistoletë me gaz, një karikator dhe pesë fishekë;
- para të gatshme në euro dhe lekë;
- një veturë “Passat” me targa të Shqipërisë;
- telefona celularë, kartela SIM dhe prova të tjera materiale.
Ndërkaq, gjatë kontrollit të bodrumit të një banese në rrugën “Beteja e Koshares” në Ferizaj, ku dyshohet se ishte i përfshirë E.D., janë gjetur 566 gramë marihuanë, ndërsa janë konfiskuar edhe sasi të tjera prej 21.7 gramësh, 0.49 gramësh dhe 0.2 gramësh.
Në total, sasia e substancave të dyshuara narkotike të sekuestruara në të dy rastet arrin në rreth 5.5 kilogramë, pa përfshirë kokainën.
Prokuroria dyshon se të pandehurit kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe veprën “Mbajtja në pronësi ose kontroll i paautorizuar i armës”, sipas nenit 366, paragrafi 1.
Të dyshuarit ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh, të caktuar nga Prokurori i Shtetit më 2 shtator, ndërsa vendimin për kërkesën për paraburgim pritet ta marrë Gjykata Themelore në Ferizaj./lajmi.net/