Komuna e Mitrovicës hap tenderin për një kamion zjarrfikës dhe një xhip
210 mijë euro për një kamion zjarrfikës dhe një xhip, Komuna e Mitrovicës hap tenderin Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka hapur një tender me vlerë të parashikuar prej 210 mijë eurosh, për furnizimin e Njësisë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit (NJPZSH) me automjete të reja. Sipas njoftimit për kontratë, bëhet fjalë për furnizimin me një…
Lajme
210 mijë euro për një kamion zjarrfikës dhe një xhip, Komuna e Mitrovicës hap tenderin
Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka hapur një tender me vlerë të parashikuar prej 210 mijë eurosh, për furnizimin e Njësisë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit (NJPZSH) me automjete të reja.
Sipas njoftimit për kontratë, bëhet fjalë për furnizimin me një kamion përcjellës për fikjen e zjarrit dhe një automjet për terren (xhip), të cilat do të përdoren nga NJPZSH në Mitrovicë të Jugut.
Procedura është ndarë në dy lote.
Loti i parë përfshin furnizimin me kamion për fikjen e zjarrit, ndërsa loti i dytë furnizimin me automjet për terren.
Operatorët ekonomikë kanë mundësi të ofertojnë për të gjitha pjesët, ndërsa numri maksimal i pjesëve që mund t’i jepen një tenderuesi është dy.
Kohëzgjatja e kontratës është përcaktuar në dy muaj nga dhënia e kontratës.
Në dokumentet e tenderit janë përcaktuar edhe kërkesa financiare dhe profesionale për operatorët ekonomikë.
Për të marrë pjesë, kompanitë duhet të dëshmojnë, ndër të tjera, qarkullim financiar prej së paku 420 mijë eurosh gjatë tri viteve të fundit, ndërsa përvojë në kontrata të ngjashme kërkohet në vlerë jo më pak se 315 mijë euro.
Një tjetër kriter është që pajisjet e ofruara të jenë të reja dhe të papërdorura, ndërsa operatorët duhet të ofrojnë edhe garanci 36-mujore nga prodhuesi ose përfaqësuesi/distributori i autorizuar.
Procedura e prokurimit është e hapur, ndërsa kriteri për dhënien e kontratës është çmimi më i ulët.