Voziti i dehur në krahun e kundërt – Prokuroria ngre aktakuzë ndaj shoferit që shkaktoi aksidentin fatal në rrugën Mitrovicë–Prishtinë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit N.S., për veprën penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur”. Sipas aktakuzës, më 23 korrik 2026, në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, N.S. ka drejtuar automjetin pa patentë shoferi dhe nën ndikimin e alkoolit. Prokuroria pretendon se i pandehuri, derisa…

Lajme

03/09/2026 11:33

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit N.S., për veprën penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur”.

Sipas aktakuzës, më 23 korrik 2026, në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, N.S. ka drejtuar automjetin pa patentë shoferi dhe nën ndikimin e alkoolit.

Prokuroria pretendon se i pandehuri, derisa ishte duke lëvizur në krahun dhe shiritin e kundërt të rrugës, ka goditur një automjet që ishte duke lëvizur në drejtimin e rregullt.

Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën pasagjerja M.V., ndërsa tre pasagjerë të tjerë kanë pësuar lëndime trupore. Në aksident janë shkaktuar edhe dëme materiale në automjete dhe në mbrojtëset e rrugës.

Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprën penale dhe t’i shqiptojë dënim meritor, në përputhje me ligjin.