Shkollat nisin mësimin pa ditar, ministria premton zgjidhje dhe arsyetohet se angazhoi operator më të lirë

Në raftet e mësimdhënësve gjenden vetëm ditarët e vjetër. Kjo pasi ditarët e vitit të ri shkollor ende nuk u janë dorëzuar shkollave në vend. Kësisoj në ditën e parë dhe të dytë mësuesit nuk patën ku t’i shkruajnë orët e mbajtur mësimore e as të evidentojnë mungesat e nxënësve. E kjo sipas drejtorit të…

Lajme

03/09/2026 08:07

Në raftet e mësimdhënësve gjenden vetëm ditarët e vjetër.

Kjo pasi ditarët e vitit të ri shkollor ende nuk u janë dorëzuar shkollave në vend.

Kësisoj në ditën e parë dhe të dytë mësuesit nuk patën ku t’i shkruajnë orët e mbajtur mësimore e as të evidentojnë mungesat e nxënësve.

E kjo sipas drejtorit të arsimit në Komunë  e Prishtinës, Arianit Elshanit  po vështirëson mbarëvajtjen  procesin mësimor.

“Aktualisht por raportohet edhe mungesë të nxënësve në orët e shkollave meqenëse mungesat nuk raportohen, prandaj jemi duke ndërmarrë veprime që mësimdhënësit të kenë një listë para vetës dhe të evidentojnë mungesat e nxënësve në kuadër të klasave. Kjo punë është si me shku një person në zyre dhe mos me i pas mjetet e veta të punë. Efekti i parë është tek serioziteti i mësimdhënësit në raport me nxënësin pastaj edh e çështja e vlerësimit dhe raportimi të mungesave të nxënësve”, ka deklaruar drejtori i arsimit në Komunë  e Prishtinës, Arianit Elshani .

E nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit kanë thënë se kjo nuk është hera e parë që ndodhin vonesa të tilla.

“Kjo dukuri nuk është që nuk ka ndodhur edhe në vitet e mëparshme është dukuri  që ka ndodhur edhe këtë vit. Sipas informacioneve që kemi është ndërruar operatori i furnizimi me ditar. Ditari është një mjet i cili eviton punën që e ka kry gjatë ditës i grumbullohen ndoshta pak punët dhe nuk mundet me regjistrua as orën që po bene as me evidentu emrat e nxënësve”, u shpreh Ymeri nga SBASHK-u

Në një përgjigje për Tëvë1, ministria e arsimit ka treguar disa nga arsyet që kanë dërguar deri tek vonesa e pajisjes së shkollave me ditarë.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe komunat kanë përmbushur detyrimet procedurale për sigurimin e dokumentacionit shkollor për institucionet e arsimit parauniversitar, përfshirë edhe librin e klasës (ditarin) dhe dokumentacionin tjetër shkollor. Si rezultat, nga ky vit shkollor, kemi një operator të ri me çmime ndjeshëm më të ulëta se deri tani. Operatori i përzgjedhur na ka njoftuar se për shkaqe operative ka disa vonesa, por edhe është zotuar se po angazhohet maksimalisht që shpërndarja e ditarëve dhe dokumentacioneve tjera shkollore do të nisë sa më parë”, kanë thënë nga ministria e arsimit për Tëvë1.

Në lidhjet me vonesat e dokumentacioneve shkollore përmes një reagimi kanë shprehur shqetësime edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës të cilët kanë kërkuar nga Ministria që urgjentisht të përmbushë obligimet e saj.