Merret vendimi, Duane “Keffe D” shpallet fajtor për vrasjen e Tupac-ut
Duane “Keffe D” Davis, një ish-udhëheqës i një bande në Los Anxhelos, u shpall të hënën fajtor nga një gjykatë në Las Vegas për vrasjen e reperit të njohur Tupac Shakur në vitin 1996. Tridhjetë vjet pas vdekjes së legjendës së repit, juria e shpalli Davis, 63 vjeç, fajtor për vrasje, pas vetëm disa orësh…
ShowBiz
Duane “Keffe D” Davis, një ish-udhëheqës i një bande në Los Anxhelos, u shpall të hënën fajtor nga një gjykatë në Las Vegas për vrasjen e reperit të njohur Tupac Shakur në vitin 1996.
Tridhjetë vjet pas vdekjes së legjendës së repit, juria e shpalli Davis, 63 vjeç, fajtor për vrasje, pas vetëm disa orësh diskutimesh, transmeton Indeksonline.
“Pika e parë, vrasje me përdorimin e një arme vdekjeprurëse: fajtor për vrasje të shkallës së parë me përdorimin e një arme vdekjeprurëse”, njoftoi kryetari i jurisë në gjykatë.
Davis, i cili përballet me mundësinë e dënimit me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht, iu drejtua gjyqtares Carli Kierny pasi u shpall vendimi dhe deklaroi se synon ta apelojë atë.
Ish-udhëheqësi i South Side Compton Crips u akuzua se urdhëroi vrasjen e artistit të hip-hopit më 7 shtator 1996, pasi nipi i tij ishte rrahur nga anëtarë të grupit që shoqëronte Shakurin në një kazino në Las Vegas.
“Duane Davis, në kulturën e bandave, nuk mund ta linte atë ngjarje pa reagim”, tha prokurori Binu Palal gjatë fjalës përmbyllëse. “Pra, çfarë bëri ai? Siguroi një armë zjarri, mblodhi grupin e tij dhe doli në kërkim të zotit Shakur.”
Shakur, i cili ndodhej në Las Vegas për një ndeshje boksi të peshave të rënda të Mike Tyson, u qëllua rreth dy orë pas përplasjes në kazino. Një person i armatosur në një Cadillac të bardhë u afrua pranë BMW-së ku reperi po udhëtonte në sediljen e përparme, ndërsa automjetet ishin ndalur në një semafor të kuq.
Sipas prokurorëve, Davis ia dha armën një personi që ndodhej në sediljen e pasme të Cadillac-ut dhe e urdhëroi atë të qëllonte Shakurin, i cili vdiq gjashtë ditë më vonë.