Kush e merr ulësen e fundit në KQZ? Përplasje mes LVV-së dhe PDK-së
Mosemërimi i anëtarit të dhjetë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka nxitur kritika nga ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, dhe nga shoqëria civile. Sipas tyre, mosplotësimi i përbërjes së KQZ-së ngre pikëpyetje për respektimin e dispozitave kushtetuese që përcaktojnë përfaqësimin e subjekteve politike në këtë institucion, raporton…
Lajme
Mosemërimi i anëtarit të dhjetë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka nxitur kritika nga ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, dhe nga shoqëria civile.
Sipas tyre, mosplotësimi i përbërjes së KQZ-së ngre pikëpyetje për respektimin e dispozitave kushtetuese që përcaktojnë përfaqësimin e subjekteve politike në këtë institucion, raporton KosovaPress.
Haxhiu, më 31 gusht, përmes një dekreti emëroi nëntë anëtarë të KQZ-së. Ndërkaq, u tha se për anëtarin e fundit do të ketë vendimmarrje së shpejti, mirëpo pa treguar nëse do të emërohet anëtari i tretë nga Lëvizja Vetëvendosje apo anëtari i dytë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, vlerëson se me mosdekretimin e anëtarit që, sipas saj, i takon PDK-së, ushtruesja e detyrës së presidentes ka cenuar të drejtën e kësaj partie të përcaktuar me Kushtetutë dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Daka thotë se, nëse Haxhiu vazhdon të mos e dekretojë anëtarin e ri, PDK-ja duhet ta shqyrtojë mundësinë që çështjen ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Ushtruesja e detyrës së presidentes nuk e ka kryer detyrën e vet ashtu siç e parasheh Kushtetuta, pasi është dashur që Partisë Demokratike të Kosovës t’i takojë edhe një anëtar. Me këtë, kësaj partie ia ka shkelur një të drejtë që i takon edhe me Kushtetutë dhe me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme… Nëse zonja Haxhiu edhe më tutje nuk e dekreton një anëtar qoftë për LVV-në apo PDK-në, atëherë ajo nuk po e ushtron detyrën e cila i është dhënë me Kushtetutë. Këtu besoj se duhet të reagojë PDK-ja dhe ta dërgojë këtë çështje ndoshta në Gjykatën Kushtetuese”, thotë ajo.
Ndërkohë, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, thotë se, duke u bazuar në përbërjen aktuale të grupeve më të mëdha parlamentare shqiptare pas zgjedhjeve të 7 qershorit, LVV-së duhet t’i takojnë dy anëtarë, PDK-së dy, ndërsa nga një anëtar LDK-së dhe Aleancës.
“Zonja Haxhiu, si ushtruese e detyrës së presidentes, do të duhej të zbatonte Kushtetutën e Kosovës. Në nenin 139 të Kushtetutës, ku thuhet se gjashtë grupet më të mëdha parlamentare duhet të kenë nga një anëtar në KQZ. Meqenëse ka katër grupe më të mëdha parlamentare që janë shqiptare, atëherë dihet edhe nga formulimi kushtetues dhe praktika përbërja e KQZ-së. Në këtë drejtim, zonja Haxhiu do të duhej që LVV-së t’i takonin dy anëtarë në KQZ, dy anëtarë PDK-së, një LDK-së dhe një Aleancës. Kjo është përbërja kushtetuese nga partitë shqiptare. Ndërkohë, nga komunitetet nuk ka pasur ndonjë problem”, potencon ai.
Ndërkohë, në LVV potencuan se anëtari i tretë në KQZ i takon atyre.
LVV kërkon anëtarin e tretë në KQZ
“Kërkesë e Lëvizjes Vetëvendosje edhe për anëtarin e tretë, për këtë do të vendosë ushtruesja e presidentes”, tha anëtari i LVV-së, Hysen Durmishi, pas dekretimit si anëtar i KQZ-së.
E, nga Partia Demokratike e Kosovës nuk pranuan që të flasin të hënën për këtë çështje.
Edhe në përbërjen e kaluar, KQZ-ja ka funksionuar me nëntë anëtarë politikë dhe anëtarin e dhjetë, kryesuesin, Kreshnik Radoniqi.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka dekretuar sot anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Betimin e kanë dhënë: Hysen Durmishi dhe Violeta Salihu nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Rashit Qalaj nga Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Fetahu nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Muharrem Nitaj nga Aleanca, Stefan Filipovic nga Lista Serbe, Yildiray Bayrami nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, Delvir Tairi nga Koalicioni Vakat dhe Abedin Neziraj nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës.