7 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë për të akuzuarin në rastin “Capat vs Sekiraqt”
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me shtatë muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë të akuzuarin Vesel Bunjaku, në rastin “Capat vs Sekiraqt”. Bunjaku është dënuar me shtatë muaj burgim efektiv për veprën penale “Manipulimi me prova”, ndërsa për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” është dënuar…
Lajme
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me shtatë muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë të akuzuarin Vesel Bunjaku, në rastin “Capat vs Sekiraqt”.
Bunjaku është dënuar me shtatë muaj burgim efektiv për veprën penale “Manipulimi me prova”, ndërsa për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” është dënuar me 2 mijë euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Bunjaku kishte pranuar fajësinë në seancën e 26 gushtit 2026 për këto dy vepra penale.
Gjykata ka njoftuar se në dënimin me burgim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 11 shtatori 2024 deri më 11 prill 2025.
Aktgjykimi u shpall nga trupi gjykues i përbërë nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, dhe anëtarët Ertan Sejfullah dhe Altin Murseli.
Në shpalljen e aktgjykimit ishte i pranishëm vetëm i akuzuari Bunjaku.
Sipas aktakuzës, më 1 shtator 2024, në orën 21:42, sipas kohës së regjistruar nga kamerat e lokalit, menjëherë pas përfundimit të gjuajtjes me armë mes dy grupeve, Vesel Bunjaku dyshohet se ka marrë në posedim dy armë zjarri me qëllim të fshehjes dhe manipulimit të provave.
Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për një pistoletë gjysmë-automatike që dyshohet se e posedonte Salih Sekiraqa dhe një pistoletë gjysmë-automatike që dyshohet se e kishte përdorur Fatos Abazi.
Në aktakuzë thuhet se, bazuar në video-incizimet e kamerave të lokalit, Bunjaku shihet duke u drejtuar në tarracën e lokalit për të dalë jashtë, ndërsa në duar mban dy armët. Më pas, sipas aktakuzës, ai është kthyer në lokal pa armët në duar, ndërsa armët janë gjetur në pjesën e pasme të lokalit.
Me këto veprime, Bunjaku është akuzuar për veprën penale “Manipulimi me prova”, nga neni 389, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Po ashtu, sipas aktakuzës, pas të shtënave me armë mes grupeve, Bunjaku dyshohet se ka marrë në posedim dy pistoleta gjysmë-automatike nga lokali “From” dhe i ka vendosur në pjesën e pasme të lokalit, me qëllim të fshehjes së tyre.
Për këtë, ai është akuzuar për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal.