Vendimi i Gjykatës Themelore, rreth 100 mijë euro kompensim për ish-anëtarët e Bordit të RTK-së të shkarkuar në 2021
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që Kuvendi i Kosovës dhe Radio Televizioni i Kosovës të kompensojnë ish-anëtarët e bordit të Radio Televizionit të Kosovës të shkarkuar në vitin 2021. “DETYROHEN të paditurit 1. Kuvendi i Republikës së Kosovës, me seli në Prishtinë dhe 2. Radio Televizioni i Kosovës, me seli në Prishtinë që në…
Lajme
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që Kuvendi i Kosovës dhe Radio Televizioni i Kosovës të kompensojnë ish-anëtarët e bordit të Radio Televizionit të Kosovës të shkarkuar në vitin 2021.
“DETYROHEN të paditurit 1. Kuvendi i Republikës së Kosovës, me seli në Prishtinë dhe 2. Radio Televizioni i Kosovës, me seli në Prishtinë që në mënyrë solidare paditësve në emër të kompensimit të të ardhurave personale t’ua paguajnë shumat”- thuhet në vendimin e datës 27.07.2026, raporton Kallxo.com.
Sali Bashota, Petrit Musolli, Fadi Miftari, Lirim Geci dhe Agron Gashi sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë të marrë më 27.07.2026 do të iu kompensohen pagat sipas mandatit të tyre.
Shuma e kompensimit arrinë rreth 100 mijë euro.
Sipas vendimit të cilin e ka siguruar KALLXO.com, Sali Bashota në emër të pagave të papaguara neto, kontributit personal dhe tatimit në burim do të kompensohet në vlerë 4 mijë e 369 euro.
Lirim Geci dhe Agron Gashi sipas vendimit do të kompensohet në vlerë prej 3 mijë e 668 euro.
Ndërsa Petrit Musolli dhe Fadil Miftari në emër të pagave të papaguara neto, kontributit personal dhe tatimit në burim do të kompensohet në vlerë prej 43 mijë e 584 euro.
Musolli dhe Miftari do të kompensohen për 36 muajt e mbetur të mandatit të tyre si anëtar të bordit të RTK-së ndërsa Geci, Gashi e Bashota për 3 muaj të mbetur të mandatit të tyre.
“DETYROHEN të paditurit 1. Kuvendi i Republikës së Kosovës, me seli në Prishtinë dhe 2. Radio Televizioni i Kosovës, me seli në Prishtinë, që në mënyrë solidare shumat e cekura si në pikën II të dispozitivit, t’i paguaj me kamatë ligjore prej 8%, e cila duhet të përllogaritet nga data 12.08.2021 (data e paraqitjes se padisë) e deri në pagesën definitive, si dhe shpenzimet e procedurës kontestimore në shumë prej 5,503.00 euro, në afatin prej 7 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi, nën kërcënim të përmbarimit me detyrim”- thuhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtën e ankesës në afat prej 7 ditësh nga dita e pranimit të të njëjtit.
“Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit të Kosovës, përmes kësaj gjykate, e cila duhet të paraqitet në ekzemplarë të mjaftueshëm për palët dhe gjykatën”- thuhet në vendim.
Gjykata e Apelit në një përgjigje për KALLXO.com më 27.08.2026 ka thënë se ende nuk ka pranuar ndonjë ankesë lidhur më këtë vendim.
Po ashtu, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Kuvendin e Kosovës dhe Radio Televizionin e Kosovës në lidhje me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe është në pritje të përgjigjes.
Më 08.07.2021 Kuvendi i Kosovës kishte miratuar rekomandimin e Komisionit funksional për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
Kuvendi kishte votuar për shkarkimin e tetë anëtarëve të Bordit të RTK-së veç e veç dhe ka shkarkuar Sali Bashotën, Agron Gashin, Lirim Gecin, Ilir Bytyçin, Albinot Malokun, Bajram Mjekun, Petrit Musollin dhe Fadil Miftarin.
Në vitin 2023, Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se shkarkimi i anëtarëve të bordit të RTK-së nuk ishte në përputhshmëri ndër të tjera me komeptencat e Kuvendit të Kosovës.
KALLXO.com kishte raportuar në vitin 2021 deri sa Sali Bashota ishte kryetar i Bordit të RTK-së, ishte punësuar dhëndri i tij.
Në vendimin të cilin e ka marrë menaxhmenti i RTK-së më 27.07.2020, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, Liridon Konushefci ka nënshkruar kontratë për shërbime në cilësinë e mirëmbajtësit – shtëpiakut në një kohëzgjatje prej 5 muajve, prej 01.08.2020 – deri më 31.12.2020.
Në Ligjin për Radio Televizionin e Kosovës, te neni 27 – “Pamundësia për të qenë anëtar i Bordit”, ndalohet veprimtaria afariste mes anëtarëve të familjes së ngushtë të anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.
“Anëtari i bordit ose anëtari i ngushtë i familjes së tij nuk guxon të ushtrojë veprimtari afariste me institucionin publik të RTK-së”, theksohet në paragrafin 2, të nenit 27 të Ligjit për RTK-në.