Dy gra të vrara brenda pak ditësh, protestë të premten në Prishtinë: Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se të premten, në orën 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të mbahet protesta me moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”. Protesta vjen pas dy rasteve të rënda të vrasjes së grave brenda pak ditësh. Organizatorët kanë thënë se këto raste nuk…

Lajme

26/08/2026 18:22

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se të premten, në orën 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të mbahet protesta me moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Protesta vjen pas dy rasteve të rënda të vrasjes së grave brenda pak ditësh. Organizatorët kanë thënë se këto raste nuk duhet të trajtohen si incidente të izoluara, por si pasojë e dhunës sistematike ndaj grave.

“Këtë javë dy burra i vranë dy gra. Të hënën një burrë vrau me armë bashkëshorten 25 vjeçe në Malishevë. Ndërsa sot, në Prizren një tjetër burrë e ngulfati bashkëshorten deri kur ajo dha frymë”, thuhet në njoftim.

Sipas organizatorëve, këto raste dëshmojnë nevojën për ndryshime të thella institucionale dhe shoqërore në trajtimin e dhunës ndaj grave.

“Dy gratë që ranë viktima të femicidit janë alarmi ynë që ky shtet dhe kjo shoqëri vazhdon ta riprodhojë veten nëpërmjet dhunës, nënshtrimit dhe shtrëngimit të grave deri në ngulfatjen e vrasjen e tyre”, thuhet më tej.

Kolektivi ka theksuar se femicidi duhet të trajtohet si kulminacion i dhunës sistematike dhe jo si një ngjarje e veçuar.

“Pra, vrasjet e grave nuk janë incidente, por vrasje të qëllimshme që targetojnë gratë nëpërmjet cënueshmërisë dhe nënshtrimit të supozuar nëpërmjet dhunës”, thuhet në njoftim.

Në protestë organizatorët kanë bërë të ditur se do të kërkojnë trajtimin e sigurisë së grave si çështje me urgjencë kombëtare dhe si pjesë kyçe të sigurisë publike.

Po ashtu, kërkohet përgjegjësi institucionale dhe funksionalizim i zinxhirit institucional për parandalimin e femicidit, përfshirë qendrat për punë sociale, si dhe mirëfinancim i politikave sociale që synojnë zbutjen e pabarazive gjinore.

Ndër kërkesat është edhe kodifikimi i femicidit si vepër e veçantë penale dhe përfshirja e edukimit gjithëpërfshirës në sistemin arsimor për trajtimin e maskulinitetit toksik dhe promovimin e barazisë gjinore.

“Na u bashkoni të premten, të luftojmë për sigurinë tonë kolektive dhe të kujtojmë e të kërkojmë drejtësi edhe për ato që patriarkati na ka vrarë!”, thuhet në thirrjen e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist. /Lajmi.net/