Komuna e Gjakovës del më e sigurta për nxënësit, por ZKA zbulon një shqetësim serioz: 16% panë armë në shkolla

Komuna e Gjakovës ka shënuar nivelin më të lartë të zbatimit të masave parandaluese për sigurinë në shkolla, krahasuar me komunat e tjera të përfshira në auditimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Sipas raportit të ZKA-së, në shtatë shkollat e përfshira në mostrën e Gjakovës janë evidentuar 107 raste dhune në evidencat e brendshme të…

Lajme

26/08/2026 15:01

Komuna e Gjakovës ka shënuar nivelin më të lartë të zbatimit të masave parandaluese për sigurinë në shkolla, krahasuar me komunat e tjera të përfshira në auditimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Sipas raportit të ZKA-së, në shtatë shkollat e përfshira në mostrën e Gjakovës janë evidentuar 107 raste dhune në evidencat e brendshme të shkollave. Ndërkohë, Policia e Kosovës ka evidentuar 49 raste, ndërsa 25 raste janë raportuar në sistemin SMIA.

Në aspektin e masave konkrete të sigurisë, të gjitha shkollat e vizituara në Gjakovë zbatojnë planin e kujdestarisë në korridore, ndërsa 86 për qind e tyre kryejnë kontrolle të rregullta te nxënësit.

Këto masa kanë ndikuar edhe në perceptimin e nxënësve për sigurinë. Sipas të dhënave të auditimit, 71 për qind e nxënësve të anketuar në Gjakovë kanë deklaruar se ndihen të sigurt në shkollë, përqindja më e lartë në mesin e tri komunave të audituara.

Një praktikë e veçantë është evidentuar në shkollën “Hajdar Dushi”, ku telefonat celularë të nxënësve mblidhen në orën e parë të mësimit dhe ruhen në sallën e arsimtarëve deri në përfundim të orarit.

Megjithatë, pavarësisht masave parandaluese, raporti evidenton edhe shqetësime lidhur me praninë e armëve në shkolla.

16 për qind e nxënësve të anketuar në Gjakovë kanë deklaruar se kanë qenë dëshmitarë të posedimit të armëve në ambientet e shkollës. /Lajmi.net/